Pensionistët detyrohen të dëshmojnë se janë gjallë

Pensionistët detyrohen të dëshmojnë se janë gjallë

Shfrytëzuesit e pensionit bazik të moshës dhe shfrytëzuesit e pensioneve të parakohshme duhet të paraqiten në zyret e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, një herë në gjashtë muaj me dokumentet përkatëse të identifikimit. Kjo është e paraparë në ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Kurse, nëse kjo nuk respektohet, Ministria mund të suspendojë përkohësisht pagesën e pensionit.

Detyrimi për të dëshmuar çdo gjatë muaj se pensionistët janë gjallë, po konsiderohet si cenim i dinjitetit të pensionistëve, pasin që pensioni është një e drejtë e fituar një herë dhe nuk do të duhej të cenohej.

Pensionisti, Hamdi Pacolli thotë se të lajmërohesh çdo gjashtë muaj është vetëm maltretim, e sidomos për ata të cilët nuk janë në gjendje të mirë fizike.
“Le që po duhet çdo gjashtë muaj hajde për këta po mundemi me shkua diqysh, por ka njerëz që janë të sëmurë, të paralizuar, ata duhet me i dërgua dikush, ose me i bajtë me taksi ose në karroca invalidore se kot t’i e dërgon letërnjoftimin ose vërtetimin që është gjallë ai, po të lypë figurativisht me qenë aty. E këto veç janë maltretime për të gjithë por sidomos për të sëmurët”, ka thënë ai.

Po ashtu, edhe pensionisti Sinan Duli, tha se e kishte lënë pensionin vetëm për këtë shkak, pasi kur shkon për t’u paraqitur i kërkojnë edhe shumë gjëra të tjera.
“E kisha lanë pensionin veç shkaku i asaj se saherë shkoj, shko bima çekun e rrymës, të shtëpisë, shko sjelle këtë, veç me dal mendsh ne pensionistët. Veç duhet me marrë një ditë sikurse ata që dolën nga lufta dhe mbeten pa bukë, u vranë, na veç pensionerat me shkuar me u mbytë diku në ujë. Avokati i Popullit boll mirë ka fol, por tash çka do të bëjë nuk e di”, tha ai.

Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se e konsiderojnë si cenim të dinjitetit të pensionistëve atë që duhet të paraqiten çdo gjashtë muaj pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për të dëshmuar se janë gjallë.

Sipas tij, pensioni është një e drejtë e fituar njëherë dhe nuk do të duhej të sfidohej më.

Avokati i Popullit këtë kërkesë e ka dërguar edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku i kanë rekomanduar disa metoda për rregullimin e kësaj çështjeje.

Po ashtu, sipas Avokatit të Popullit një mundësi tjetër është që Qendrat për Punë Sociale të cilat janë në të gjitha komunën, të bëjnë vizita tek familjet nëse dëshirojnë që të arsyetojnë se nëse një person është në jetë.

Ndërsa, në përgjigjen e kthyer nga Departamenti i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thuhet se kjo ministri vazhdimisht ka pasur në konsideratë rekomandimet e Avokatit të Popullit, të cilat janë shqyrtuar dhe janë marrë masat konkrete.

“Në rast se shfrytëzuesi i pensionit është i sëmurë dhe nuk mundet të paraqitet në administratën e pensioneve, në kuadër të kësaj administrate ekzistojnë ekipet mobile, të cilat me kërkesë të ndonjë familjari shkojnë në shtëpi dhe e bëjnë verifikimin se pensionisti është gjallë. Gjithashtu MPMS-ja ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Agjensionin e Shërbimit Civil, i cili agjension lajmëron MPMS-në për çdo rast të lajmërimit të vdekjes të të moshuarve. Marrëveshje e njëjtë ekziston edhe me komunitetet fetare”, thuhet në përgjigje të Minsitrisë.