Edhe pse janë ndarë 20 milionë euro, ky këshill nuk pranoi asnjë projekt

Edhe pse janë ndarë 20 milionë euro, ky këshill nuk pranoi asnjë projekt

Për 10 dhjetë vjet me radhë, institucionet e Ministrisë së Kulturës nuk kanë dërguar asnjë projekt për vlerësim në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Kështu deklaruan zyrtarë të këtij këshilli, gjatë prezentimit të raportit për projektet e investuara në trashëgimi kulturore nga MKRS gjatë periudhës 2008-2018.

Udhëheqësi ekzekutiv i këtij Këshilli, Isuf Koci tha se gjatë kësaj periudhe dhjetë vjeçare, janë ndarë mbi 20 milionë euro për kategoritë e trashëgimisë kulturore. Pavarësisht kësaj, Koci deklaroi se KKTK-së nuk i ka ardhur asnjë projekt i kësaj kategorie për vlerësim, ani pse është e drejtë ligjore e tyre.

“Autoriteti ose institucioni i vetëm i cilin është përgjegjës për vlerësimin e projekteve është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, dhe deri më sot asnjë projekt nga fusha e trashëgimisë kulturore nuk ka ardhur në Këshill për vlerësim. Kështu që kjo është një shqetësim dhe një problematikë e cila vazhdon tash e dhjetë vite”, tha Koci.

Ndërsa Arsim Havolli, zyrtar i Lartë për Trashëgimi Arkeologjike, tha se për këtë kategori të trashëgimisë kulturore, gjatë kësaj periudhe janë ndarë mbi 5 milionë euro.

“Këto kanë shkuar në ato që thamë gërmime arkeologjike. Vlen të theksohet se gërmimet me karakter shpëtimi, nuk janë specifikuar se çka mund të shpenzohet, edhe për këto projekte nuk është ditur se çfarë destinimi kanë apo nga janë bartur. Në kuadër të këtyre projekteve, kemi shumë projekte të cilat janë përsëritur vazhdimisht për vite”, tha Havolli.

Kurse udhëheqësi i Divizionit për Trashëgimi Shpirtërore (jomateriale), Kreshnik Bajraktari tha se Kosova ka mjaft elemente të Trashëgimisë Shpirtërore, pavarësisht se kjo lloj trashëgimie është koncept më i ri në Kosovë. Ndërkaq, ai tha se nuk është investuar sa duhet në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Kështu për shembull duhet të marrim eposin e kreshnikëve si rastin më të fundit që realisht po e vajtojmë të gjithë dhe për të cilin në një farë mënyre të gjitha institucionet kanë përgjegjësi sepse nuk e kanë trajtuar në nivelin meritor, që të mos na vinte puna aty ku ka ardhur. Si Këshill, mund të themi se si element i trashëgimisë kulturore nuk ka ardhur për t’u vlerësuar në Këshill dhe për t’u shpallur në mbrojtje të përhershme”, tha Bajraktari.

Përndryshe, në këtë analizë, ndër të tjerash, bëhet e ditur se pavarësisht rritjes së buxhetit, trendi i shkatërrimit të aseteve të trashëgimisë kulturore po vazhdon, sidomos në zonat urbane. Më tej në gjetjet e raportit se mungesa e lincencimit të personave juridik që bëjnë gërmime arkeologjike, paraqet shkelje ligjore.

Ndërkaq, përmes këtij raporti, KKTK, ndër të tjerash, rekomandoi që të respektohet Ligji për Trashëgimi Kulturore, e po ashtu të dërgohen projekte për vlerësim në këtë këshill.