Komshiç ndërpret intervistën, gazetari serb mohoi gjenocidin në Srebrenicë

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiç ndërpreu intervistën për “Tanjug”-un, pasi gazetari i agjencisë serbe të lajmeve gjatë bisedës disa herë mohoi gjenocidin në Srebrenicë.
Nëpër rrjetet sociale është shpërndarë me të madhe sekuenca e intervistës së Komshiç-it për agjencinë “Tanjug”, ku mund të shihet se si kryesuesi i Presidencës së BeH-së ndërpret intervistën pas një “zënke” me gazetarin rreth temës së gjenocidit në Srebrenicë.
“Gjenocidi është gjenocid. Për këtë nuk mund të diskutojmë, nëse jemi pak njerëz”, tha Komshiç.
Ai nënvizoi se gjenocidi është gjykuar dhe pyeti gazetarin se a pajtohet me këtë, për çka gazetari i ‘Tanjug’-ut u përgjigj se nuk dakorodohet me “këtë konstatim”, transmeton Anadolu.
“Përse nuk pajtohesh me këtë konstatim”, e pyeti Komshiç ndërsa gazetari gjenocidin në Srebrenicë e quajti krim të tmerrshëm.
“Jo, është kryer gjenocid. Kështu qëndron në vendimin e gjykatës ndërkombëtare. Gjenocidi nuk është krim i rëndë. Krime të rënda ishin disa raste tjera, ky ishte gjenocid”, përsëriti Komshiç.
Gazetari më pas tha se ky është qëndrimi i tij, me ç’rast kryesuesi i Presidencës së BeH-së ndërhyri duke thënë se: “Jo, ky nuk është qëndrimi im, ashtu shkruan në aktvendim”.
“Me të cilën jeni dakord”, shtoi gazetari dhe Komshiç e pyeti: “Ju nuk jeni?”.
“Unë nuk pajtohem me atë vendim”, u përgjigj gazetari i “Tanjug”-ut, për të cilin Komshiç hoqi mikrofonin dhe ndërpreu intervistën me fjalët: “Atëherë do t’ju duhet ta bëni këtë intervistë me dikë tjetër. Shijojeni Sarajevën”./TV21

Back to top button