Të pamposhturit e artë

Të pamposhturit e artë

Xhudoja edhe në vitin 2019, ishte sporti ku arriti të fitojë medalje të shumta në garat evropiane dhe ato botërore

Majlinda Kelmendi, Loriana Kuka, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Akil Gjakova, të udhëhequr nga Driton Kuka, ishin xhudistët që arritën të fitonin medalje të ndryshme në garat më të mëdha evropiane në sportin e xhudos.

Majlinda Kelmendi arriti të rikthehet nga lëndimi, kështu duke fituar medaljen e artën në kampionatin evropian dhe pikërisht për këtë ajo e cilëson vitin 2019, si një vit të suksesshëm për të.

“Po në përgjithësi viti 2019, ka qenë një vit i suksesshëm për mua dhe për krejt ekipin në përgjithësi. Për mua mund të them se ka qenë vit i suksesshëm duke marrë parasysh që jam kthyer nga lëndimi, pas 15 muajve pauzë dhe prapë se prapë kam arrit të bëhem kampione e Evropës dhe medaljen e bronztë në kampionatin botëror, kështu që në përgjithësi ka qenë një vit i suksesshëm”, tha ajo.

Për vitin 2020, Kelmendi synon që të përgatitet sa më shumë për lojërat olimpike, duke mos lënë anash as kompeticonet tjera në të cilat ajo pritet të marrë pjesë.

“Po sigurisht që për vitin 2020, caku janë lojërat olimpike, përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe realisht tanë, secila garë që kemi me marrë pjesë tash e tutje ka me qenë ndoshta vetëm si test në lojërat olimpike. Po shpresoj shumë që mos me pas lëndime, që me shkuar përgatitjet ashtu siç Toni e bënë plan dhe po mendoj që do të kemi sukses si ekip… Synimi tjetër është kampionati evropian që mbahet në prill, por prapë se prapë ajo veç ka me qenë rrugë për lojëra olimpike, pavarësisht asaj që është kampionat evropian dhe titulli është i rëndësishëm, por lojërat olimpike janë krejtësisht diçka tjetër”, tha Majlinda Kelmendi.

Xhudistja nga Peja është sportistja e parë e Kosovës e cila arriti të fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ndërsa në vitin 2020, në Lojërat Olimpike, ajo shpreson që do t’ia dalë ta mbrojë titullin si dhe ta fitoi sërish medaljen e artë.

“Po unë shpresoj që po, caku im është që me mbrojt titullin dhe me u bë prapë kampione olimpike, është shumë vështirë, mirëpo gjërat e mira vijnë shumë vështirë, duhet shumë mund dhe shumë sakrificë. Unë jam shumë e gatshme për sfida të tilla, kështu që po besoj dhe po shpresoj që kam me arrit me mbrojt titullin”, tha Kelmendi.

Xhudistja tjetër nga klubi i xhudos “Ippon”, Nora Gjakova gjithashtu e cilësoi vitin 2019, si vit të suksesshëm. Vit ku ajo arriti ta fitoi medaljen e argjendtë në lojërat evropiane.