Për 3 vjet 170 mijë lëndë kundërvajtëse, buxheti u dëmtua mbi 2 milionë euro

“Amnistia e ligjshme e milionave të kundërvajtjeve”

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar sot raportin “Amnistia e ligjshme e milionave të kundërvajtjeve”, ku u bë e ditur se vetëm në tri vjetet e fundit janë parashtruar 170 mijë lëndë kundërvajtëse që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit humbje prej 2 milionë euro.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu, tha se një prej problemeve më të mëdha që administrohen në mënyrë shumë të keqe nga ana e institucioneve publike dhe nga sistemi gjyqësor i Kosovës është trajtimi i lëndëve të kundërvajtjes.

Ai tha se nga menaxhimi i dobët janë miliona euro të cilat amnistohen për shkak se nuk arrijnë asnjëherë që të bëhen ekzekutimet e të gjitha kundërvajtjeve të cilat shqiptohet.

“IKD ka gjetur që trajtimi i lëndëve të kundërvajtjes është një prej problemeve më të mëdha që administrohet në mënyrë shumë të keqe nga ana e institucioneve publike dhe po ashtu sistemi gjyqësor i Kosovës, i cili ka një kosto të madhe për sa i përket taksapaguesve të Republikës së Kosovës. Për shkak se si rezultat i këtij menaxhimi të dobët kemi miliona euro të cilat amnistohen për shkak se nuk arrijnë asnjëherë që të bëhen ekzekutimet e të gjitha këtyre kundërvajtjeve të cilat shqiptohen. Në njërën anë kemi një investim të madh të shtetit, i cili përmes institucioneve përkatëse, kryesisht në këtë rast e kemi të angazhuar shumë Policinë e Kosovës në shqiptimin e kundërvajtjeve që bënë punë shumë të madhe, harxhon miliona buxhet për të shqiptuar kundërvajtje dhe në anën tjetër kemi një administrim të keq kur shkon lënda në Gjykatë, sepse si rezultat i mostrajtimit të këtyre lëndëve vjen de ri tek afati i parashkrimit të këtyre lëndëve që i bie se të gjitha këto lëndë hudhen në shportë”, tha ai.

Arrita Rezniqi, hulumtuese në IKD, tha se kanë gjetur se vetëm tri vitet e fundit janë parashtruar mbi 170 mijë lëndë të kundërvajtjes.

“IKD ka gjetur se vetëm tri vitet e fundit në divizionin e kundërvajtjeve janë parashkruar mbi 170 mijë lëndë në të gjitha gjykatat e vendit. Të gjitha këto kanë qenë vlerësime prej gjyqtarëve se pse ka ardhur deri tek këto për arsye të ndryshme, megjithatë ne përveç që i kemi nxjerrë statistikat në aspektin e parashtrimit të lëndëve të cilat i kemi pranuar direkt prej KGjK-së, ne po ashtu kemi nxjerrë një mesatare edhe të asaj se sa lëndë parashkruhen vetëm brenda një dite në një gjykatë konkrete. Në raport specifikisht janë të paraqitura secila prej këtyre, kjo llogaritje është bërë duke marr për bazë nga 365 ditë sa ka viti, i kemi hequr vikendet, i kemi hequr festat zyrtare dhe kemi llogaritur numrin e parashkrimeve që kanë qenë për atë vit konkret. Nga këtu kemi gjetur se ky numër mund të shkojë prej 1 deri në 136 lëndë të parashtruara brenda një dite”, tha ajo.

Ajo po ashtu bëri të ditur se viti 2018 ka shënuar rënie në aspektin e lëndëve të pranuara. Kjo sipas saj, ka qenë si rrjedhojë e ligjit të ri për kundërvajtje.

Rezniqi tha se derisa në viti 2016 mbi 350 mijë lëndë sa kanë pranuar gjykatat në Kosovë, në vitin 2018 kanë pranuar rreth 35 mijë lëndë, e ajo çka është është interesante, është se me rënien e numrit të lëndëve të pranuara ka rënë edhe numri i lëndëve të zgjidhura nga gjykatat.

Ajo u shpreh se kanë analizuar një rast konkret, ku në vitin 2017, në gjykatën e njëjtë gjyqtarët kanë zgjidhur 1 mijë e 700 lëndë në muaj, ndërsa në vitin 2018 në momentin që ka rënë numri i lëndëve të pranuara të njëjtët gjyqtar të së njëjtës gjykatë i kanë zgjidhur mesatarisht 162 lëndë në muaj.

Autorja e raportit “Amnistia e ligjshme e milionave të kundërvajtjeve”, tha se çështja e parashkrimit të lëndëve shkakton pasoja, ku tha se me parashkrimin e lëndës humbet qëllimi i trajtimit të lëndëve të kësaj natyre, humbet besimi në drejtësi dhe dëmtohet buxheti i shtetit.

“Duke marrë për bazë të dhënat e siguruara nga Gjykata Themelore në Prishtinë kemi kuptuar se aty janë shqiptuar 10 mijë e 650 gjoba dhe janë inkasuar mbi 250 mijë euro, që do të thotë se vlera mesatare e një gjobe të shqiptuar gjatë atij viti ka qenë diku 23.5 euro. Rrjedhimisht nëse e marrim për bazë vlerën 23.5 euro si vlerë reprezentative të gjobave të shqiptuara gjatë vitit 2017 në rastet e kundërvajtjeve i bie se gjatë këtij viti në ato 41 përqind të rasteve në të cilat mund të shqiptoheshin gjobat të vlerës mesatare prej 23.5 euro buxheti i shtetit ka humbur mbi 650 mijë euro vetëm për atë vit. Metodë të njëjtë të llogaritjes kemi përdorur për vitin 2016 dhe 2018 dhe kemi ardhur tek vlerat që i keni të paraqitura edhe në grafikun prapa. Në vlerë totale për këto tri vite kemi ardhur në përfundim që buxheti i shtetit është dëmtuar në vlerë prej mbi 2 milionë euro të mundshme për t’u inkasuar nga gj obat e kundërvajtjeve”, tha ajo.

Në raportin “Amnistia e ligjshme e milionave të kundërvajtjeve” ka nxjerr disa rekomandime, ku thuhet se duhet të rritet efikasiteti i punës së gjyqtarëve. Rekomandim tjetër është që me ngritje të efikasitetit të evitohet parashkrimi i lëndëve dhe t’i jepet shtysë edhe organeve të tjera që të jenë sa më efikase. IKD rekomandon se me qëllim të administrimit sa më të mirë të drejtësisë dhe ruajtjes së buxhetit të Republikës së Kosovës KGjK duhet që të angazhohet seriozisht në luftimin e dukurisë së parashkrimit të kundërvajtjeve.

Ky raport është bërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it.

Back to top button