Komuna e Çairit ka njoftuar organet policore

Komuna e Çairit ka njoftuar organet policore

Pronari i një kompanie private për larje të veturave dhe tepihëve ka shembur murin e shkollës fillore 7 Marsi në komunën e Çairit. Siç shihet nga pamjet qëllimi i thyerjes së murit ka qenë të hapen dyer për të depërtuar më afër deri te lavazhi. Kompania ka vepruar në mënyrë të tillë pa lejen e shkollës apo komunës. Drejtori i shkollës Halil Palloshi thotë se është normale që kjo kompani punon brend oborrit të shkollës.

“Shfrytëzohet një pjesë me një skaj që nuk është një risi pasi që në shumë shkolla ka objekte me qira. Ai ka gabuar se e ka prish murin pa lejen e shkollës dhe pa lejen e komunës. Ashtu që kemi pasur ankesa edhe prej prindërve dhe në komunë por edhe ankesë nga ambasadat. Komuna ka bërë marrëveshje me personin që muri të kthehet në gjendjen e mëparshme ashtu si ka qenë”, tha drejtori i shkollës.

Por nga komuna e Çairit kanë paralajmëruar se do ta ndërtojnë murin e shembur për disa ditë, ndërsa kompania nuk do të mund të zhvillojë këtë biznes më në oborrin e shkollës.

“Komuna ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të shqiptuar dënim ndaj personit që ka kryer këtë akt të pandërgjegjshëm. Për këtë shkelje ligjore janë njoftuar edhe organet policore të cilët kanë verifikuar gjendjen faktike. Komuna e Çairit për kohë të shkurtër murin do ta kthejë në gjendjen e mëparshme”, thonë nga komuna.

TV21 para dy viteve ka raportuar për shfrytëzimin e oborrit pa leje të kësaj shkolle për larje të tepihëve nga e njëjta kompani. Biznesi i tyre pas dy viteve po lulëzon me leje të komunës duke paguar qira për shfrytëzimin e oborrit të shkollës./21Media