Këto mjete ndahen në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend

Këto mjete ndahen në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë 4 milionë e 200 mijë euro për financim të aktiviteteve të subjekteve politike nga fondi për vitin 2018, ku këto mjete ndahen në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për atë mandat.

Në këtë mënyrë koalicioni në mes Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe partitë tjera që kanë qenë në koalicion, kanë marrë më së shumti 1 milion 228 mijë e 500 euro, pasi që kanë 39 deputetë.

Pastaj është Lëvizja Vetëvendosje me 32 deputetë që do të marrë 1 milion e 008 mijë euro, kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë do të marrë 913 mijë e 500 euro.

Drejtoresha për Regjistrimin partive politike në KQZ, Miradije Mavriqi, ka bërë të ditur se shuma e mjeteve ndahet në bazë të ulëseve që këto parti kanë fituar në Kuvend.

“KQZ përcakton mjetet nga fondi për mbështetje të partive politike, shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve politike nga fondi për vitin 2018, është 4 milionë e 200 mijë dhe ndahet në bazë të ulëseve apo përfaqësimit të fituar në Kuvend në atë mandat”, bëri të ditur ajo.

Sa i përket ndarjes së këtyre mjeteve, anëtari i KQZ-së nga PDK, Betim Gjoshi, tha se duke qenë se ata janë përgjegjës për të menaxhuar më këtë fond është mirë që të ketë edhe akte të mjaftueshme për të rregulluar këtë çështje.

“Nuk e di si kemi ardhur deri kjo ku ne jemi përgjegjës me ia nda, me menaxhuar me këtë fond, por pasi jemi përgjegjës është mirë që t’i kemi edhe aktet e mjaftueshme për të rregulluar këtë. Unë jam për përndryshe sot me votuar që me i hap rrugë ndarjes së buxhetit, por ndërkohë sa më shpejt me parapa mënyrën e shpenzimit. Mandej me pa edhe një mënyrë grupet parlamentare pjesën tjetër qysh e shfrytëzojnë, se kjo shuma është në përqindje ndahet për partitë politike 10 përqind ndahet për funksionim të grupeve parlamentare. Është mirë me parapa edhe këtë pjesë se ne e kemi një realitet të ri në Kuvendin e Kosovës, kështu që duhet me e rregulluar”, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Binak Vishaj, tha se do të ishte e rrugës që të gjejnë një formë që shpenzimi i parasë publike të rregullohet me akte ligjore.

“Në situatën që e kemi edhe grupet parlamentare, por edhe për nismat edhe për koalicionet edhe pse ato rregullohen me marrëveshje politike paraprakisht para se të themelohet koalicioni dhe e kanë të qartë se e kanë rregullimin e brendshëm. Prapë se prapë kish qenë e rrugës dhe e mbështes idenë e Betimit që ne ta gjejmë një formë që ta bëjmë më të lehtë çështjet teknike dhe procedurale që shpenzimi i parasë publike të rregullohet me akte ligjore. Deri sa ne i japim këto të kemi edhe forma se si t’i rregullojmë për t’i mbikëqyrur këto mjete që po ndahen edhe për partitë politike, por edhe tek grupet parlamentare jo vetëm në këtë mandat, por edhe në mandatet që vijnë të kemi një rregullativë të përhershme që t’i zgjedh këto çështje”, tha ai.

I të njëjtit mendim ishte edhe kryesuesi i mbledhjes së KQZ-së, Ercan Spat, por i cili tha se duhet ta dërgojnë në aprovim pasi që partitë politike kanë nevojë për këtë buxhet.

“Unë pajtohem por besoj që të gjithë edhe kolegët tjerë janë të mendimit se na duhet një rregullativë dytësore. Në të njëjtën kohë është obligim i joni që në periudhën e ardhshme të krijojmë atë dokument rregullativën dytësore, por fakti se subjektet politike kanë nevojë për këtë buxhet, për demokratizim na detyron të shkojmë në aprovim”, tha ai.

Në këtë mbledhje të KQZ-së, është miratuar edhe plani i punës së KQZ-së për vitin 2018, po ashtu, është miratuar edhe draft projektit për Ditën Globale të Zgjedhjeve.

Gjithashtu, është bërë edhe zëvendësimi i anëtarëve të kuvendeve dhe është miratuar plani final i prokurimit të KQZ-së për vitin 2018.

Po ashtu, është miratuar edhe rekomandimi për mos pranimin e ndryshimit të partisë politike nga “Bosnjacka Stranka Demokratske Akcije Kosova-BSDAK” në “Evropska Stranka Demokratske Akcije-ESDA.