Për gratë tona

Poezi nga Dritero Agolli
Sa pak këndojmë për gratë tona!
Për gratë
E bukura e të mira,
Që na përkëdhelin me duar të njoma
Kur kthehemi nga rrugë të vështira.
Gabohemi shumë,
Kur flasim e grijmë
Rreth gotës me birrë,
Rreth gotës me verë,
Se gratë tona e humbën freskinë
Se ishin të këndshme njëherë…
Jo, jo, s’humbet hijeshia e tyre,
Mjafton të qëndrojnë pak në pasqyrë
Dhe të duken prapë të njoma.
E si të mos këndojmë
Poetë,
Për ato që kanë ditur në jetë
Të lindin kreshnikë e peri,
Jo në maternitet e në shtëpi
Po edhe në korie e në arë,
Duke prerë dru
E duke hedhur farë?! 

Back to top button