Poeti i njohur i letërsisë shqiptare

Poeti i njohur i letërsisë shqiptare

Njëri ndër poetët më të dashur të letërsisë shqiptare padyshim së është edhe Fan Noli.

Ai ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, të cilit ia njohi vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret. Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.

Kujtohet si një figurë e madhe e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare. Ai vdiq më 13 mars të vitit 1965.

Në këtë poezi, Fan Noli me fjalë ka shprehur vuajtjet e shqiptarëve nga armiqët e tyre./21Media

Te ura te ura

Vraponi, o burra,

Me armë, me topa, me kordh’ e me shpata,

Se dolli kuçedra e errët nga nata,

Se ngriti bajrakun e lyer me gjak

Dhe sulet prej Shjiakut në Durrës me vrap.

Kuçedr’e Turqisë,

Hyen’e urisë,

E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari

Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,

Si gjarpër zvarniset, i sillet përqark,

Me dinin në gojë, me helmin në bark.

Kuçedrën e vrarë

E hasi më parë

Thomsoni në Vlorë, kur vinte prej detit

Me katërqint krahë, lubi’ e Dovletit;

E zuri për gryke, e shtriu përdhe

Nga thonjt’ i rrëmbeu të mjerin Atdhe.

Pastaj për së dyti

Në Durrës e mbyti

Dhe kokën ia shtypi me top nga Kalaja,

Kur hodhi Esadin nga Froni, nga maja,

Nga forca në pluhër, nga bregu në det,

Me grusht prej rrufeje, që ngrin e që tret.

Kuçedra e thyer,

Në turp e përlyer

Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës

Dhe ngrihet m’e fortë, në Gjol, afër Urës.

Shqiptar’i verbuar vërsulet në det,

Shkel Flamur dhe Nënë dhe vllezër po vret.

“Dy herë të theva,

Të shtriva, të ndeva,

Po prapë u ngjalle dhe prapë u ngrite,

Prit më, the, prit më!” Dhe prap’ iu vërvite,

Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re,

Kalorës i huaj, që vdiqe për ne!

Nga Ura, nga Ura

Po ikni, o burra?

Ju ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën!

Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën,

Se urën e ruan, se Urë’n e mpron

Stihia – Shqiponjë, me qip e me thonj.

Te ura, te Ura,

Vajtoni, o burra,

Thomsonin e ngratë që ju vet’ e vratë,

Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,

Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,

Për ju, të mallkuar, që s’doni Atdhe.