Mirënjohje dhe dekorata për nder të çlirimit

Mirënjohje dhe dekorata për nder të çlirimit

Në 20 vjetorin e Ditës së Çlirimit të qytetit të Vushtrrisë është inauguruar sheshi dhe shtatorja e patriotit “Hasan Prishtina”.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se përulen para atyre të cilët derdhen gjak për lirinë e vendit.

“Për lirinë tonë u shkri dije e u derdh gjak, ndjehem i privilegjuar që ne së bashku shënojmë ditën e çlirimit të Vushtrrisë.  Në këtë përvjetor ne përulemi me respekt para atyre që u flijuan për atdheun tonë të shtrenjtë. Ne sot kujtojmë me mall e krenari të rënët në masakrën e Studimes dhe qytetit të Vushtrrisë. Sot dhe çdo herë që sakrifica dhe gjaku i derdhur asnjëherë të mos harrohet. Në këtë mënyrë realizojmë amanetin e të rënëve“, tha Tahiri.

Ai tha se është krenar që në këtë përvjetor po i kthehet i biri i këtij vendi, Hasan Prishtina. Sipas tij, kjo shtatore duhet të shërbej si inspirim për vazhdimin e rrugës së tij.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi tha se Hasan Prishtina ka eshtrat nën dhe, por ai është i gjallë.

Është një ditë shumë e veçantë ku dielli shndrin më shumë se ditëve tjera. Jemi shumë të gëzuar që sot festojmë në liri. Urojmë që ditë si këto të vijnë më arritje më të mëdha. Jemi në një ditë tjetër historike ku i biri i juaj Hasan Prishtina shfaqet në një bust “, tha Minxhozi.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, Shaip Hyseni tha se 20 vjet më parë me 17 qershor u kurorëzua përpjekja për liri.

Falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakut të dëshmorëve u arrit liria e kërkuar nga shumë breza. Flijimi i tyre mbetet udhërrëfyesi ynë për të vazhduar rrugëtimin e tyre”, tha Hyseni.

Kuvendi Komunal ka ndarë mirënjohje për dëshmorët e rënë, me “Post mortum”, Shefqet Karakashit. Është ndarë edhe çmimi i “Pena e artë”, Remzie Zekollit për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë. Me “Nderi i Qytetit”, Tahiri ka ndarë për atdhetarin, Ali Jonuzi.

Në emër të presidentit janë ndarë dekorata “Hero i Kosovës” për Avni Saraqi, Bahri Kuqi, Bektesh Haliti, Andi Hajrizi, Nezir Ymeri e shumë të tjerë.