Kreu i shoqatës “Zëri i Prindërve” u tregua kritik edhe me ndërkombëtarët

Kreu i shoqatës “Zëri i Prindërve” u tregua kritik edhe me ndërkombëtarët

Pushtetarët në Kosovë ende nuk kanë arritur të mbyllin një prej çështjeve më të ndjeshme në vend, atë të të zhdukurve në luftë.

Nuk u mësuan asnjëherë vendndodhjet e mbi 1600 personave të zhdukur nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në luftën e fundit në Kosovë dhe kjo çështje nuk ushtrua në tavolinën e Brukselit në bisedimet Kosovë-Serbi, përveç në ato teknike.

Në vitin 2011 delegacioni i Kosovës në bisedimet në Bruksel kishte iniciuar çështjen e të pagjeturve, ku BE kishte kërkuar listat e personave dhe vendndodhjen e tyre. Por, Serbia asnjëherë nuk bashkëpunoi në zgjidhjen e kësaj çështje.

Në intervistën 45/45 të kp kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve” dhe njëherit udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, tha se taksa ka marrë më shumë vlerë dhe përmendet më shumë në Serbi e Kosovë dhe nga ndërkombëtarët si faktor për të ardhmen e bisedimeve sesa jetët e njerëzve.

“Taksa është vendim jashtëzakonisht i fortë, por pse nuk thuhet nuk bëjmë bisedime përderisa nuk na i zbardh fatin e të pagjeturve, por përmendet më shumë taksa. Më shumë përmendet një taksë sesa njerëzit. Më shumë përmendet edhe në Serbi, edhe në Kosovë, por edhe tek ndërkombëtarët një taksë e nuk përmenden njerëzit të cilët janë më plagë, familjarët po shkojnë pa e ditur për të dashurit e tyre”, tha ai.

Kreu i shoqatës “Zëri i Prindërve” u tregua kritik edhe me ndërkombëtarët. Ai tha se ata kanë vetëm fjalë, por jo edhe veprime. Çerkini tha se është e kot të kërkohet zbardhja e fatit të të pagjeturve pa presionin e tyre.

“Më duket se ndërkombëtarët veç flasin e presion nuk bëjnë. Kom pasur takime gjithmonë me ndërkombëtarë, fjalë të mira e punë jo të mira. Se nëse do ndërkombëtari me pas seriozisht ose i sinqertë për këtë problem, ata sonte mi thirr Vuçiqin e Thaçin i bëjnë bashkë e nuk kanë çare pa shku. Bashkësia ndërkombëtare në Bruksel nuk po iu intereson për shkak se duhet dikush mu përgjigj. Derisa në Beograd e udhëheqin politikën e Sllobodan Millosheviqit, nuk ka zbardhje të fatit të pagjeturve pa një presion ndërkombëtar”, vijoi ai.

Udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur e përkrah idenë që një përfaqësues i personave të pagjetur të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ai tha se dhimbja dhe plagët e tyre duhet të tregohen nga ata që e kanë përjetuar vetë. Sipas tij, nuk e di pse nuk mund të jenë pjesë e delegacionit apo se kujt i pengojnë.

“Shpeshherë po flitet se duhet një anëtar apo dy i familjarëve në Bruksel. Është keq me fol, por edhe në grupet e bisedave me palën tjetër është keq me qenë pa familjarë. Jo me ata përfaqësues të familjarëve që nuk kanë asnjë të pagjetur, por drejtpërsëdrejti me atë që është i prekur dhe nuk trembet para askujt për ta treguar të vërtetën. Na nuk jemi politikanë por kemi plagë dhe plagët tona duhet t’i themi në dialog, në Bruksel, pse të mos jemi edhe në pjesë e delegacionit, kujt po i pengojmë? Është keq të formohet një komision apo grup delegues pa përfaqësuesin e familjarëve të të pagjeturve”, tha ai.