Për një mesazh në telefon, rrahen burrë e grua

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, kundër të pandehurve B.A. dhe A.A., për shkak të dhunës në familje.

Sipas aktakuzës, fillimisht i pandehuri B.A., më 19 dhjetor 2018, në fshatin Budrikë, komuna Viti, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij A.A.

“Për shkak të një mosmarrëveshje verbale mes vete, lidhur me një mesazh, të cilin i pandehuri e kishte lexuar në telefonin e saj, fillimisht fjalosen, pastaj e godet me telefon, e kap për flokë dhe me grushte e godet në pjesë të ndryshme të trupit, të cilës i shkakton lëndime të lehta trupore”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Me veprimet e tij, ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’.

Ndërsa, e pandehura A.A., në vendin dhe kohën e njëjtë, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj B.A., në atë mënyrë që pasi kupton se bashkëshorti i saj ia kishte lexuar një mesazh në telefon, e pandehura në shenjë revolte me një dru e godet atë në krahun dhe këmbën e majtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Gjithashtu, me veprimet e saj, ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’

Prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’iu shqiptojë dënimin e merituar sipas Ligjit./21Media

Back to top button