Për shkak të mërgimtarëve bizneset punojnë edhe të dielave

Ky vendim po quhet i përkohshëm nga Komuna

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, sot ka pritur në një takim përfaqësuesit e bizneseve në qytetin e Mitrovicës.

Qëllimi i këtij takimi ishte të diskutohej vendimi i marrë nga Komuna e Mitrovicës, në lidhje me ditën e diele e cila është ditë pushimi për bizneset e qytetit të Mitrovicës.

Me këtë rast përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar nga Bahtiri të shqyrtohet edhe një herë mundësia që dita e diele të vazhdojë të jetë ditë pune, pasi që sipas tyre, ky vendim ka ndikuar keq në biznes.

Ndërsa Bahtiri tha se këtë vendim e ka ndërmarrë me qëllimin e vetëm që punëtorët të kenë një ditë pushimi, ku mund të kalojnë kohën me familjet e tyre.

Bahtiri, megjithatë tha se me qëllim që të mbështes prapë bizneset, dhe duke marrë parasysh edhe fluksin e madh të mërgimtarëve, do t’u mundësojë bizneseve të vazhdojnë të punojnë përkohësisht të dielave deri në marrjen e një vendimi të përbashkët me ta.

Po ashtu kryetari kërkoi nga përfaqësuesit e bizneseve që të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore të cilat e mbrojnë punëtorin, pasi që ky vendim ka ardhur pikërisht për të mbështetur të drejtat e tyre./kallxo

Back to top button