“Çështja e konfiskimit mbetet problem"

“Çështja e konfiskimit mbetet problem”

Përkundër sekuestrimit të rreth 100 aseteve në vlerë prej rreth 4 milionë euro, vazhdon të mbetet sfiduese çështja e konfiskimit me vendime përfundimtare të gjykatave.

Kështu bëri të ditur drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku është prezantuar raporti tremujor (prill-qershor 2019) për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe është vazhduar me ngrirje dhe sekuestrim të pasurisë, ndonëse e pranoi se mbetet sfidë konfiskimi.

Sipas tij, është pozitive që ngrirjet dhe sekuestrimet të pasurisë kanë ndodhur për vepra të ndryshme penale, porse mbeten shqetësuese vendimet e papërfunduara të gjykatave që kanë të bëjnë me konfiskimin e thjeshtë.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2019-të bëhet fjalë për ngrirje-sekuestrim të aseteve për rreth 100 raste të ndryshme, shuma e të cilave kap shifrën rreth 4 milionë euro. Këto janë vetëm ngrirje dhe sekuestrim. Në anën tjetër, mbetet edhe për këtë 3 mujor sfidë çështja e konfiskimit, me vendime përfundimtare të gjykatave. Lidhur me periudhën 6-mujore, siç është prezantuar në raport, shifrat e sekuestrimit të ngrirjes arrijnë në rreth 6 milionë, ndërsa konfiskimi mbetet sfidë me shumën prej 25 mijë euro që është paraqitur edhe në raportin e kaluar”, tha Krasniqi.

Lidhur me veprat penale, Krasniqi tha se kërkojnë që të unifikohen procedurat e veprimit në rastet e kontrabandimit të mallrave dhe shpëlarjes së parave etj.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se për këtë mund të ketë një udhëzim të detyrueshëm nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nëse nuk ka unifikim në zbatimin e procedurave.

Sipas tij, është duke u zvogëluar numri i rasteve që kanë të bëjnë me krime ekonomike.

E me këtë u pajtua edhe kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, për çka tha se nuk duhet të ekzistojë si rekomandim.

Sa i përket çështjes së konfiskimit, Hyeseni tha se mbetet ende problem, teksa shtroi se sekuestrimi ka rezultate të mira ku të gjitha prokuroritë kanë vepruar.

Krahas sekuestrimit që po arrihet me sukses, ai tha se po mungon konfiskimi, për çka shtoi se duhet të ketë një mekanizëm brenda gjykatave.

“Çështja e konfiskimit mbetet problem. Çështja e sekuestrimit ka lëvizje shumë pozitive, sepse për këta 3 muaj, po filloj nga Prokuroria më specifike në Kosovë, Mitrovica, i ka diku 25 raste ku prokurorët kanë sekuestruar edhe pse ka qenë kohë e pushimeve. Të gjitha prokuroritë kanë vepruar, kemi Pejën, Ferizajn, kemi me rezultate konkrete Prizrenin, pa e përjashtuar edhe Prishtinën, edhe pse në raport me numrin e prokurorëve, në Prishtinë është situatë jo e mirë”, tha Hyseni.

Kështu, raporti pa rekomandime u votua me 8 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër.

Prokurorja Laura Pula ka prezantuar raportin janar – qershor 2019 të Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik. Për 6 mujorin e parë, në nivel vendi, Pula tha se kanë pranuar 21 kallëzime penale për korrupsion më pak se paraprakisht.

“Sa i përket korrupsionit në nivel vendi për 6 mujorin e parë, janar – qershor 2019, mund të themi se performanca e procedimit të kallëzimeve penale dhe personave ka një rritje shumë të mirë. Këtë e them, sepse kemi pasur raste të trashëguar nga periudha paraprake nga viti 2018 – 274 raste, kemi pranuar raste të reja 158. Nga të gjitha rastet që kemi pasur, 424 sa kemi pasur, 171 janë kryer. Kanë mbetur të pakryera 253 raste. Nëse e krahasojmë numrin e kallëzimeve të pranuara me ato të proceduara, na del se 108.23 për qind kemi arritur normën me kallëzime penale, ndërsa me persona 111.04 për qind kemi arritur që t’i kryejmë këto raste të korrupsionit”, u shpreh Pula.

Sa i përket krimeve ekonomike, ajo bëri të ditur se i kanë trashëguar 402 lëndë nga viti 2018, ndërsa kanë marrë 193 raste të reja, prej të cilave tha se i kanë proceduar 213, ndërsa kanë mbetur edhe 384 raste. Ajo tha se kanë kryer 110.36 për qind të rasteve të krimeve ekonomike në nivel vendi, ndërsa me persona, ajo tha se janë proceduar  95.90 për qind të rasteve.

I pakënaqur me perfomancën e prokurorëve ishte zëvendëskryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli, i cili vlerësoi se numri i lëndëve të kryera është shumë i vogël. Ai tha se korrupsioni është i njëjtë gjithandej, porse prokurorë në qytete të ndryshme nuk po i kryejnë lëndët.

“Unë personalisht nuk jam i kënaqur me punën që këta (prokurorët) janë duke e bërë. Për shembull, kemi prokurorë që për 6 muaj i ka kryer 7 lëndë të korrupsionit. Do të thotë, kur një prokuror i Ferizajt, po e marr shembull, sot kam biseduar me të, Veton Shabani, i ka kryer 7 lëndë në Ferizaj. Përveç që i ka kryer 7 lëndë në Ferizaj, ka kryer edhe 41 lëndë të natyrave tjera, të vrasjes, fajde. Do të thotë qëndron problemi këtu”, tha Ismajli.

Ndërsa kryeprokurori Lumezi tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë i trajton rastet më të ndërlikuara, porse kjo nuk arsyeton numrin e vogël të lëndëve të zgjidhura.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë i trajton lëndët më të vështira të korrupsionit, sepse këtu i kemi institucionet më të rëndësishme, duke filluar prej Presidencës, Qeverisë, Parlamentit, institucioneve financiare, universitetit e shumë të tjera… Pse kemi lëndë të komplikuara në Prishtinë, nuk e arsyeton punën të cilën e ka bërë ky njësit në të dy departamentet”, tha ai.

Ndonëse u votuan të dy raportet, kryesuesi Hyseni kërkoi që në mbledhjen e radhës të sillet një raport, ku janë të paraqitura lëndët që prokuroritë janë të ngarkuara t’i kryejnë.