Për tri ditë fruthi mori jetën e tre fëmijëve, Karaxhoski fajëson prindërit

Viktima e tretë një fëmijë 13 muajsh

Brenda tri ditëve fruthi mori jetën e tre foshnjave në Maqedoni. Viktima e tretë është një fëmijë 13 muajsh nga rrethina e Tetovës. Ai nuk ka qenë i vaksinuar, ndërsa vdiq të dielen, njoftojnë nga qendra e Shëndetit Publik.

Nga ky institut thonë se fëmija në fjalë të shtunën, është transferuar në Klinikën infektive për shkak të pasqyrës klinike tipike të fruthit. Ai ka qenë në gjendje të rëndë me çka është transferuar në orët e vona në Spitalin e Fëmijëve, ku edhe ka ndërruar jetë.

“Ju informoj se fëmija deri më 21 janar për shkak të dhimbjeve është transferuar në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, në Shkup, ku është mjekuar dhe më pas është kthyer në kushte shtëpiake. Megjithatë mbrëmjen e të premtes, të shtunën, është transferuar në Klinikën infektive për shkak të pasqyrës klinike tipike të fruthit. Për shkak se sipas pasqyrës klinike, ka qenë në gjendje të rëndë, i njëjti është transferuar në orët e vona në pediatri, do me thënë është kthyer pas, pasi që bëhet fjalë për foshnjë 13 muajsh dhe ka ndërruar jetë në orët e vona”, u shpreh Zharko Karaxhoski nga Instituti i Shëndetit Publik.

Epidemiologu, Zharko Karaxhoski u shpreh i mllefosur dhe akuzon prindërit që nuk po i vaksinojnë fëmijët e tyre. Ai tha se këta prindër do të mbajnë mbi supe fajin për fatin e fëmijëve të vet dhe se po bëjnë gjenocid të fëmijëve. Karaxhoski thotë se epidemia e fruthit do të vazhdojë deri sa nuk do të vaksinohen, apo imunizohen  90% e qytetarëve.

“Duke refuzuar t’i vaksinoni fëmijët, i sillni në rrezik të madh. Jeni duke bërë diçka për të cilën do të pendoheni gjithë jetën. Pse? Me pakujdesin Tuaj dhe preokupimin me rrjetet sociale në të cilat mund të ketë të dhëna të ndryshme, e sillni vetveten në rrezik të sëmureni, nëse edhe ju nuk jeni vaksinuar kundër kësaj sëmundjeje”. tha Zharko Karaxhoski – Instituti i Shëndetit Publik.

Nga Ministria e shëndetësisë sërish bëjnë apel që të vaksinohen të gjithë me vaksina MRP, nga mosha 6 mujore deri në 45 vjeç. Nga ky dikaster japin siguri qytetarëve se vaksinat janë me cilësi të verifikuar.

“Edhe njëherë apelojmë deri te të gjithë prindërit, që me përgjegjësi t’i pranojnë rekomandimet për vaksinim me vaksinën MRP, e cila e mbron nga kjo sëmundje serioze infektuese. Vaksina nga shtëpitë shëndetësore merret falas dhe të njëjtat janë me kualitet të verifikuar”, bëhet e ditur në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë

Nga fillimi i epidemisë janë të prekur 220 persona, njoftojnë nga Ministria e shëndetësisë. Për momentin ka pesë raste të reja të fruthit në Shkup, rreth 30 pacientë po mjekohen në Klinikën infektive. Nga instituti për shëndet publik njoftojnë se deri tani janë vaksinuar rreth 20 mijë persona dhe nuk ka pasur efekte anësore, raporton Tv21. /21Media 

Back to top button