Përdorimi i drogave në shkollat e Kosovës, problem alarmant

U mbajt debati “Droga te të rinjtë dhe droga në shkolla”

Dukuria e përdorimit të substancave narkotike nga të rinjtë në shkolla po konsiderohet problem i madh dhe kjo dukuri po haset pothuajse në secilin institucion arsimor.

Drejtori i qendrës “Labyrinth”, Safet Blakaj, gjatë debatit “Droga te të rinjtë dhe droga në shkolla” organizuar nga qendra Labyrinth tha se problemi i drogave nëpër shkolla është alarmant.

Njëherësh, ai ka njoftuar se për këtë dukuri do të organizojnë edhe debate publike drejtpërdrejt me nxënësit e shkollave.

Pjesë e debatit ishte edhe këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Abdullah Hasanaj, njëherësh edhe koordinator nacional për gjenerata të reja, i cili tha se përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë e Kosovës është në zgjerim e sipër. Ai njoftoi për disa masa që po përgatit qeveria për vitin 2019 lidhur me këtë dukuri.

“Kryeministri Haradinaj ka autorizuar ministrin e punëve të brendshme, zotin Ekrem Mustafa, që të bëjë një plan operativ për vitin 2019 që të rritet niveli i gatishmërisë dhe operativ i ministrisë së rendit dhe agjencive të saj për ta parandaluar shitjen dhe përdorimin e narkotikëve në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, qendra “Labyrinth” ishte themeluar në vitin 2002 me qëllim të parandalimit të abuzimit të drogave dhe alkoolit, trajtimin e varësisë nga drogat dhe alkoolit, si dhe zvogëlimin e dëmeve që lidhen me injektimin e drogave.

Back to top button