Përfaqësimi i Kosovës në New York dhe në OKB

Jemi një shtet i ri, kemi shumë miq,  është thënë kaq shpesh… Por as armiqtë e shtetit tonë nuk flenë! Andaj  patjetër që duhet shumë punë për të bërë që Kosova të përmendet për mirë e të demantohen rastet e raportuara e që janë të pavërteta

E mbani mend që së voni në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kur është folur për Kosovën, ambasadorët e disa shteteve mike kanë folur mirë jo vetëm për gjendjen e sigurisë në vend, por edhe në përgjithësi e specifikisht për produktet kosovare dhe cilësinë e tyre.

Për të diskutuar lidhur me përfaqësimin e Kosovës në New York dhe në OKB e ftuar në emisionin “BonBon” në RTV21 ishte  ambasadorja  Teuta Sahatqija,  e cila  e drejton Konsullatën e përgjithshme të Kosovës në New York.

Teuta Sahatqija tha se misioni ynë është nën ombrellën e konsullatës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York “pasi ajo ka qenë mundësia e vetme që të regjistrohemi si mision”, por siç shpjegon ajo konsullata e përgjithshme i kryen disa punë dhe  është multidimensionale. “Një diplomat merret me çështje konsullore që kanë të bëjnë me dokumente, viza, pasaporta, ndërsa pesë të tjerë merren me punë diplomatike” sqaron Sahatqija.

Ajo tha se në New York është bërë punë e jashtëzakonshme e lobimit, e komunikimit me ambasadorë të misioneve të ndryshme, e lobimi për njohje të republikës së Kosovës, për marrëdhënie diplomatike dhe për diplomaci ekonomike por gjithashtu siç theksoi abasadorja nuk mungon një komunikim i jashtëzakonshëm me diasporën shqiptare në New York.

Teuta Sahatqija shpjegoi se hyrja e thjesht në ndërtesën e OKB-së nëqoftëse nuk është raportimi për Kosovën është problematik, por kjo asnjëherë  nuk i pengon diplomatët e Kosovës, “fatmirësisht kemi miq gjithkund dhe së bashku me miq hyjmë, komunikojmë, marrim pjesë në organizime dhe tregojmë se Kosova është shtet” tha ajo.

Ndryshe Radiotelevizioni 21 është i vetmi televizion shqiptar që ka zyre në OKB, rrjedhimisht gazetari i RTV21 në New York Halil Mula i ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme ekipit të konsullatës së Kosovës për çasje brenda ndërtesës së OKB-së.

Edhe Sahatqija në emision falënderoi gazetarin Halil Mulën për kontributin e dhënë dhe gjithashtu tha se është gazetar që nuk ka lënë asnjë aktivitet në New York çoftë të institucioneve apo i diasporës që  me shumë përkushtim nuk e ka përcjell./21Media

 

Back to top button