Mogherini takohet me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor

Mogherini takohet me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini mbajti një takim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në New York, ku u shpreh mbështetje për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimi për shtyp të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtmë, u  vlerësuan se ky vendim është thelbësor jo vetëm për të dy vendet në fjalë, por për të gjithë rajonin dhe për BE-në.

Përfaqësuesit, përfshirë Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Ministrat e Jashtëm të Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, mbështetën vazhdimin e dialogut Serbi-Kosovë për një marrëveshje juridikisht detyruese për normalizim i plotë i marrëdhënieve, transmeton rtv21.tv.

Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan angazhimin e tyre për perspektivën e BE-së, duke theksuar se puna për reformat vazhdon, siç janë bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

“Mbrëmë mora pjesë në darkën e shtruar nga Përfaqësuesja BE-së, Federica Mogherini, së bashku me liderë të vendeve të tjera të rajon. Në këtë takim u rikonfirmua edhe një herë përkushtimi i shteteve të rajonit për paqe dhe stabilitet, për zhvillimin e integrim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Përfaqësuesi i Lartë dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritet me Shqipërinë pasi vendi u godit nga një seri tërmetesh të forta këtë fundjavë./21Media