Përfitojnë 523 fermerë

Kultivuesit e mjedrës do të pajisjes me certifikatën “Global GAP”

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me drejtorin e Programit Mundësitë e reja për Bujqësi në USAID, Mark Wood, iu kanë shpërndarë sot fermerëve llapjanë kultivues të mjedrës pajisjet e nevojshme për certifikim me standardin Global Gap.

Në kuadër të implementimit të projektit për certifikimin e fermerëve me standardin Global Gap, i cili realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Podujevës dhe USAID-it, sot në Podujevë ka filluar shpërndarja e pajisjeve të nevojshme për certifikim me këtë standard.

Shpërndarjen e pajisjeve për fermerët kultivues të mjedrës e kanë bërë kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe drejtori i Programit Mundësitë e reja për Bujqësi (AGRO) – USAID, Mark Wood.

Me këtë rast kryetari Veliu e ka vlerësuar lart partneritetin me USAID-in në programin kultivimin e mjedrës gjë që e ka bërë Podujevën qendër referente në Kosovë për kultivimin e kësaj kulture të pemëtarisë së imtë.

Kryetari Veliu foli edhe për rëndësinë e projektit për certifikimin e fermerëve me certifikatat Global Gap.

“E mira e këtij projekti është se kultivuesit e mjedrës, pas pajisjes me certifikatën Global GAP, përveç që do të kenë qasje në tregun evropian, do të kenë edhe një favor tjetër në plasmanin e produktit të tyre me çmim më të volitshëm. Me këtë certifikim eliminohen edhe dyshimet se produktet mund të jenë kancerogjene. Gjithashtu certifikimi inkurajon fermerët që të vazhdojnë të merren me këtë veprimtari fitimprurëse”, tha kryetari Veliu.

Drejtori i Programit të USAID-it, Mark Wood, vlerësoi lart realizimin e projektit të certifikimit të fermerëve me Global Gap.

“Jam i lumtur për bashkëpunimin tonë, sepse ky bashkëpunim i shkëlqyer ka mundësuar që fermerët e Komunës së Podujevës të jenë të parët jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë që po certifikohen me standardin Global Gap. Uroj që edhe komunat e tjera të ndjekin shembullin e Komunës së Podujevës”, tha Wood.

Sipas një komunikate të Komunës së Podujevës, projekti për certifikimin e fermerëve me standardin Global Gap, në vlerë prej 120 mijë euro, realizohet në partneritet të Komunës së Podujevës me USAID-in. Përfitues të këtij projekti do të jenë 523 fermerë, të cilët paraprakisht kanë ndjekur trajnime për certifikim me standardin Global Gap.

Back to top button