Çmimin e parë e ka fituar Shoqëria Kulturore nga Krusha e Madhe

Çmimin e parë e ka fituar Shoqëria Kulturore nga Krusha e Madhe

Festivali gjithëkombëtar “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen” ka përfunduar me shpalljen e fituesve, ku çmimin e parë e ka fituar Shoqëria Kulturore nga Krusha e Madhe e Rahovecit.

Çmimi i dytë ka shkuar për Shoqërinë Kulturore në Skenderaj dhe çmimi i tretë për Qendrën kulturore “Dardania” nga Tropoja.

Këtë vit ishte hera e tetë që organizohet ky festival folklorik, festival ky i cili iu dedikohet rapsodëve të folklorit shqiptar Dervish Shaqa e Demush Neziri.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se në rrugëtimin e Kosovës për liri një rol të rëndësishëm e ka luajtur edhe rapsodia.

I pari i Deçanit i ka ndarë mirënjohje familjes së këngëtarit Jeton Kuqi, i cili ditë më parë ka ndërruar jetë në një aksident komunikacioni. Për të marrë mirënjohjen për babain doli vajza e Jetonit, Ema Kuqi, e cila u shpreh e lumtur për nderimin që ia kanë bërë babait të saj. Ajo tha se është krenare për veprën e babait të saj.

Në anën tjetër, kryetari i Unionit Artistik Shqiptar, Azgan Haklaj është shprehur se ky festival i kushtohet atyre që i kënduan kombit shqiptar.

I pranishëm në përmbyllje të festivalit ishte edhe babai i heroit Luan Haradinaj, Hilmi Haradinaj.

Ndryshe,  festivali “Eshkë e djegun mbi Shkëlzen” ka filluar me 4 maj, ndërsa përmbyllja e festivalit ka përkuar edhe me përvjetorin e 21, të rënies së Heroit të Kombit- Gjeneral Luan Haradinaj.

Në këtë festival morën pjesë mbi 40 grupe shoqërore dhe rapsodë nga të gjitha trevat shqiptare.