Elektrizohet skena e Festivalit të 58-të të Këngës

Elektrizohet skena e Festivalit të 58-të të Këngës

Në Pallatin e Kongreseve sonte u mbajt nata e parë gjysmëfinale e edicionit të 58-të të Festivalit të Këngës. Hapjen e festivalit e bëri këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Jonida Maliqi, me këngën “Ktheju tokës”, me të cilën e fitoi edicionin e kaluar të festivalit. Jonida u shfaq me një fustan të kuq e dukej shumë elegante, transmeton rtv21.tv

Sonte performuan gjysma e artistëve, e në natën e dytë gjysmëfinale performojnë gjysma tjetër. I pari u ngjit në skenë Bojken Lako me këngën “Malaseen”, më tej Kanita me këngën e titulluar “Ankth”, Devis Xherahu me “Bisedoj me serenadën”, Sara Bajraktari me “Ajër”, Genc dhe Nadia Tukiçi me këngën “Ju flet Tirana”, Kamela Islamaj me këngën “Më ngjyros”, Elvana Gjata me këngën “Me Tana”, Aldo Bardhi me “Melodi”, Renis Gjoka me “Loja” dhe Albërie Hadërgjonaj me “Ku ta gjej dikë ta dua”. Këngët u shoqëruan nga Orkestra Sinfonike e RTSH-së, Nderi i Kombit.

Të gjitha performancat dhuruan shumë emocion te publiku. Megjithëse artistja Elvana Gjata meqë u paraqit për herë të parë në këtë festival u prit shumë mirë nga publiku. Së bashku me balerinët, ajo elektrizoi skenën e këtij Festivali.

Finalja do të mbahet më 22 dhjetor. Fituesi do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, që sivjet do të mbahet në Holandë.

Holanda e fitoi edicionin e kaluar të “Eurovisionit” që u mbajt në Tel Aviv të Izraelit. Ky shtet u përfaqësua nga Duncan Laurence me këngën “Arcade”./21Media