Film debutues i Durim Kryeziut

Film debutues i Durim Kryeziut

Sot kanë përfunduar xhirimet e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Familja” me regji të Durim Kryeziut.

“Familja” trajton një temë me raporte kontradiktore familjare mes tradicionales dhe bashkëkohores. Lona, një vajzë 16 vjeçare e rritur në një familje tradicionale, ndjek pasionin e ri të saj për muzikën rok. Kjo ëndërr hasë në pengesë në momentin e prezantimit të parë të grupit të saj para publikut. Babai i Lonës, Bardhi, pëlqen muzikën folklorike, ai ka të vështirë ta pranojë pasionin e ri të Lonës, duke menduar kështu se vajza e tij lehtë do të mund të rrëshqasë në veprime delikuente. Bardhi duke ndjerë dhimbje për tre familjarët e zhdukur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, i përjeton edhe më rëndë veprimet e Lonës. Konflikti mes tyre thellohet në momentin që fillojnë gërmimet tek një varrezë masive, pranë së cilës Lona dhe grupi i saj xhirojnë videoklipin.

Skenarin e filmit e kanë shkruar Kryeziu së bashku me Hazir Hazirin, ndërsa producent është Bardhyl Bejtullahu.

Aktorët që luajnë në film janë: Eli Gashi, Hazir Sh. Haziri, Arbnesha Grabovci Nixha, Xhevat Qorraj, Lum Veseli, Lulzim Guhelli, Luan Daka, Avdi Gervalla,Labinot Lajçi, Urim Canhasi, Ideal Nrecaj, Rron Ukeimeraj, Vjollcë Osmani.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike “2B studio”, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës./21Media