Përfundon intervistimi i Nexhmi Krasniqit rreth vdekjes së Astrit Deharit

Sipas avokatit Tomë Gashi, ish Drejtori i Policisë, Nexhmi Krasniqi pranon se deklaroi se Astrit Dehari piu medikamente

Mbi 2 orë e 30 minuta ka zgjatur intervistimi i ish-Drejtorit të Policisë se Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, në cilësinë e dëshmitarit në kuadër të hetimeve të rinisura për vdekjen misterioze të ish aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren në nëntor të vitit 2016.

Avokati Tonë Gashi i cili ka qenë prezent si përfaqësues i familjes Dehari në intervistimin e Krasniqit ka treguar se Nexhmi Krasniqi nuk ka mohuar deklaratën e dhënë 3 vite më parë.

Në po të njëjtën deklaratë Krasniqi kishte deklaruar se Astrit Dehari kishte përdorur medikamente. Në dëshminë e tij para policisë, sipas avokatit Tomë Gashi, ish-drejtori i Policisë në Prizren Nexhmi Krasniqi ka deklaruar se deklaratën e tij e kishte bazuar në informacionin e marrë nga ish-drejtori i Burgut të Prizrenit, Destan Zogaj.

Sipas dëshmisë së Krasniqit, Destan Zogaj i kishte thënë Krasniqit se se Astrit Dehari ka përdorur medikamente e më pas Krasniqi këto informacione ia kishte dhënë ish-gazetarit të kallxo.com Petrit Kryeziu.

Nexhmi Krasniqi pas vdekjes së Astrit Deharit kishte qenë ndër të parët që e kishte cilësuar vdekjen e tij si vetëvrasje. Sipas njoftimit të ish-drejtorit Krasniqi, Astrit Dehari kishte përdorur disa medikamente dhe kishte rënë në gjendje kome, e më pas, gjatë rrugës për në Emergjencë, kishte ndërruar jetë.

“Në bazë të informatave të para që kemi marrë nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka ra në gjendje kome. Rrugës për në Emergjencë ka ndërruar jetë. Në Emergjencë ka shkuar pa shenja jete”, kishte deklaruar Nexhmi Krasniqi.

Hetimet për rastin misterioz Dehari janë duke vazhduar pasi instituti zviceran nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë./kallxo.com

Back to top button