Prezenca e deputetëve në sallë ishte në numër të vogël

Prezenca e deputetëve në sallë ishte në numër të vogël

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar seancën ku në interpelancë kishte ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka lidhur me themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës.

Partia Socialdemokrate, e cila e ka thirrur këtë interpelancë, ka paraqitur disa rekomandime në formë, ku Kuvendi do të kërkonte nga Qeveria që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani lidhur me regjistrimin e kësaj ndërmarrje të re energjetike.

PSD tha se Kuvendi duhet të kërkonte nga qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së energjetike të Kosovës, derisa Kuvendi të vendosë për garantim të marrëveshjes komerciale në mes të kompanisë Contur Global dhe Qeverisë së Kosovës për termocentralin Kosova e Re.

Në këtë seancë i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili u bëri thirrje deputetëve që të përkrahin, siç tha ai, krijimin e mundësisë për prodhim të energjisë elektrike në Kosovë.

Ai tha se Kosova nuk duhet të mbetet vetëm konsumuese, dhe të vazhdojë të blejë energji nga Serbia.

Kuvendi nuk arriti të harmonizojë ndonjë rezolutë apo diçka të ngjashme, dhe prezenca e deputetëve në sallë ishte në numër të vogël.

_____________________________________________________________

Konjufca: Plani qeveritar për prodhimin e energjisë prek xhepin e qytetarëve

“Si ta gjejmë mënyrën më të mirë qysh e prodhojmë energjinë elektrike”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kritikuar mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të prodhohet energji, duke thënë se ajo është e gabuar dhe ndikon drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit tha se projekti për ndërtimin e TC Kosova e Re do të prekë direkt koston e jetesës së qytetarëve të vendit.

“Kryeministër, ne pajtohemi plotësisht që Kosova ka nevojë për prodhimin e energjisë elektrike, ky debat nuk mund të bëhet në këtë parlament, sepse askush tha Kosova nuk ka nevojë për prodhimin e energjisë elektrike, debati që po e bëjmë ne është ky: si ta gjejmë mënyrën më të mirë qysh e prodhojmë energjinë elektrike. Plani yt që e ke zgjedh qysh të prodhojë Kosova energji elektrike, e ke zgjedh një plan, i cili në xhepin e qytetarëve të Kosovës ndikon drejtpërdrejt. Kjo është kritika jonë për ty”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova humb nëse blen energji nga Serbia.

“Vendi im, Kosova, këta që po të dhimbsen që ka me iu rrit çmimi i rrymës, qytetarëve tanë, unë e di po ashtu që këta humbin kur blejnë rrymë në Serbi, pra është një zinxhir i proceseve që ndodhin kur prodhohet këtu dhe ju e dini që në çdo hallkë të atij zinxhiri paguhet tatim. Bechtel Enka që e kryen auto-rrugën është tatimpaguesi më i madh në Kosovë, çka jam duke fol me këta, nëse fillojmë të shohim efektin e asaj që do të ndodhë në vend, me siguri do ta shohim atë. Por ju lutem, kjo marrëveshje për investim, me Contour Global, së pari është investim që vjen prej adresave të garantuara”, tha ai, duke shtuar se nuk ka investitorë tjetër në tavolinë përveç Contour Global.

____________________________________________________________________

Haradinaj: E di që ekziston një mafi, e cila qe 20 vjet ka blerë energji për Kosovën

Haradinaj tha se ky është investimi më i madh në historinë e pasluftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se projekti “Kosova e Re” është avancuar në masë të madhe nga Qeveria paraprake, dhe ministrat e LDK-së janë konsultuar edhe në ditën e nënshkrimit dhe është marrë aprovimi për këtë projekt.

Në seancën ku në interpelancë është ministri i Zhvillimit Ekomomik, kryeministri ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë vetëm konsumator.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nëse Kosova vazhdon me ble energji, ajo duhet të bëhet te vendi më i afërt, që është Serbia.

“Hala Kosova blen energji , çdo muaj, veç ndonjëherë kur kemi ndonjë periudhë si të verës e këto, por nëse i kemi ble, a i ka ble Kosova 650 milionë euro energji, dhe a bën me ju vet ku i kemi ble. Energjia është rrjet ndërkombëtar por ta jepin prej atij që e ke më afër, ne e kemi marrë prej Kollubarës në Serbi energjinë. Përderisa nuk ke prodhim të qëndrueshëm, të folim sinqertë, nuk është ky projekti i përkryer se po e bënë me para tua  në kushte tua, me një investitor, nuk i bjen kërkush 1 milardë e 300 milionë dollarë veç për hatër tëndin, po i bjen po ashtu me fitu investitori. Nëse vazhdojmë ne me ble energji, dhe pas tre vitesh ku kemi me ble, kanë me ta jep për atij që është më afër teje, e ai më afër e dini kush është”, tha ai.

Haradinaj ka thënë se nuk është në interes të Kosovës të jetë vetëm konsumator.

“A është interes i Kosovës me vazhdu me qenë vetëm konsumator, pse edhe ne mos me qenë njëfarë adrese e energjisë në rajon. Unë jam i vetëdijshëm që investitori nuk ka ardh për bamirësi, por çka po ndodh me ne, unë e di po ashtu që ekziston një mafi e energjisë e cila ka blerë energji për Kosovën qe 20 vjet. Nuk është vetëm kombëtare, ndoshta është ndërkombëtare, e cila kish pas qejf edhe këto dyja me i mshel ne se ndotin shumë dhe hala pa pas ne prodhim, vetëm me rritë blerjen” ,tha ai.

Haradinaj tha se ky është investimi më i madh në historinë e pasluftës në Kosovë, investim privat që kalon 1 miliardë euro.

Ai tha se nuk është privatizim, por vetëm investim privat ku paraja nuk është e Qeverisë.
_________________________________________________________________________

Lluka: Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është jetik

“Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re është parakusht i domosdoshëm për nxitje dhe zhvillim ekonomik në vend”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se qëllimi i termocentralit Kosova e Re është të plotësojë nevojat për energji elektrike në vend. Në interpelancë e tij në Kuvendin e Kosovës, Lluka ka thënë se ndërtimi i termocentralit Kosova e Re është jetik.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se problemi me mungesë të energjisë elektrike lidhet me mungesë të investimeve

“Qëllimi parësor i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re është që të plotësojë nevojat për energji elektrike në vend, të rrisë sigurinë e furnizimit duke krijuar burim të qëndrueshëm të energjisë bazë të mbështetur ekskluzivisht në resurse natyre të vendit me qëllim të mënjanimit të vartësisë nga importi dhe paparshikueshmëria e çmimit në tregun rajonal. Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re përveç që jetik për vendin dhe i domosdoshëm për furnizim të besueshëm me energji elektrike është parakusht i domosdoshëm për nxitje dhe zhvillim ekonomik në vend”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, përveç që do të mbulojë pothuajse gjysmën e kërkesës për energji elektrike në Kosovë, do të jetë edhe burim afatgjatë i energjisë termike për ngrohje qendrore.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor 2017 ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.
________________________________________________________________________

Kuvendi fillon seancën tjetër, ministri Lluka në interpelancë

Ymeri ka shpjeguar arsyet e kundërshtimit të themelimit të ndërmarrjes së re energjetike

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën ku i ftuar në interpelancë është ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, lidhur me themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës.

Partia Socialdemokrate, e cila e ka thirrur këtë interpelancë, ka paraqitur disa rekomandime në formë rezolutë, ku Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani lidhur me regjistrimin e kësaj ndërmarrje të re energjetike.

Visar Ymeri nga PSD, ka prezantuar rekomandimet dhe shpjeguar arsyet e kundërshtimit të themelimit të ndërmarrjes së re energjetike.

“Ideja e  themelimit të kësaj ndërmarrje publike është që të ndërmjetësohet dhe ky ndërmjetësim në tregun e energjisë të shfrytëzohet ose të përdoret si një lloj balancimi i çmimit të lartë të blerjes së megavatit të energjisë elektrike nga termocentrali Kosova e Re, dhe një çmimi të ulët të shitjes të distribuesi dhe furnizuesi  i vetëm, ose operatori i vetëm që ka licencë furnizimi në Republikën e Kosovës, pra te KEDS-i, dhe në këtë drejtim, do të jenë paratë publike, të ndërmarrjes publike ato të cilat do t’i kompensojnë dy lloj fitimesh në sektorin ose segmentet e privatizuara të sistemit të tërësishëm energjetik”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria dhe MZhE që të ndërpresë të gjithë veprimet e ndërmarra për regjistrimin e ndërmarrjes energjetike.

“Kuvendi kërkon nga qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së energjetike të Kosovës derisa Kuvendi të vendosë për garantim të marrëveshjes komerciale në mes të kompanisë Conutur Global dhe Qeverisë së Kosovës për termocentralin Kosova e Re. Dhe, mos të lidhe asnjë marrëveshje kontraktuale derisa Kuvendi të vendosë për miratimin e garancionit dhe në këtë mënyrë të vendosë nëse është dakord me këtë kontratë të nënshkruar nga qeveria e Kosovës apo kërkon nga Qeveria që ta anulojë këtë kontratë dhe të gjej mënyra tjera të përshtatshme për Republikën e Kosovës për investimet në energji dhe për furnizim të duhur dhe bollshëm te qytetarëve dhe ekonomisë sonë me energji”, ka deklaruar ai.

Ai tha se me punën e saj ndërmarrja publike NKEC do të shkaktojë monopol faktik në tregun e energjisë në Kosovë. Duke iu referuar kontratës, Ymeri ka thënë se Qeveria e Kosovë me propozimin e ministrit Lluka në mbledhjen 15 maj 2018 kishte marrë vendim për themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës NKEC me 100 përqind aksione nga Qeveria e Kosovës.

Ymeri ka shtuar se qeveria është e obliguar të themelojë këtë ndërmarrje për të ndërmjetësuar në mes kompanisë Contur Global dhe gjithë tregut energjetik të Kosovës.

Deputeti i PSD-së ka shtuar që sipas kontratës, ndërmarrja e re ka obligim kontraktual që tërë prodhimin e termocentralit të ri Kosova e Re, ta blejë nga Contur Global , edhe nëse nuk është e nevojshme për konsumin në Republikën e Kosovës.