Përfundon takimi i liderëve të Ballkanit, deklarohet Thaçi

Thaçi: Sot ka unitet nga BE dhe SHBA për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë – Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u deklarua për media pas takimit ndërmjet liderëve të Ballkanit Perëndimor. Ai tha se edhe gjatë këtij takimi e ngriti çështjen e  mosliberlaizmit të vizave. “Theksova dëshpërimin e madh që ekziston në Kosovë sa i përket shtyrjes së liberalizmit të vizave, prej shteteve të caktuara, shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian.”, tha Thaçi.

Ai po ashtu ripotencoi se Kosova ka kryer obligimet e veta sa i përket këtij procesi. “Tash Bashkimi Evropain duhet të marrin vendimin në ditë, javët dhe muajt e ardhshëm.”, bëri të ditur Thaçi duke shtuar se është përshëndetur edhe Demarkacioni me Malin e Zi.

Ndërkohë sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë , Thaçi tha se u vlerësuan përpjekjet për marrëveshje të dyja shteteve. “Shpresoj dhe besoj  për çka do të punojmë bashkarisht me ekipin negociator me gjithë spektrin politik në Kosovë, gjithë shoqërinë civile që në javët dhe muajt e ardhshëm të arrijmë një përfundim për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë- Serbi dhe Kosova definitivisht do të arrijë konsolidimin në rrafshin ndërkombëtar që do të fitojë njohjen nga Serbia e në të njëjtën kohë do të pasojnë njohjet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, fillimin e ndryshimit të rezolutës 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatën Kombeve Bashkuara. Nëse ka pasur hezitime para pak muajsh nga faktor të ndryshëm sot të gjithë janë edhe Bashkimi Evropian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktorët e tjerë për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes finale.”, tha Presidenti Thaçi nga Brukseli.

Ndërkaq sa i përket letrës së  Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Thaçi ripërsëriti se letra është mbështetje e plotë për Kosovën dhe rajonin. “Nuk besoj se ka lider në Kosovë që i thotë jo asaj letre”, tha ai. Sipas tij, letra e Trump është shpresë dhe besim për institucionet e vendit. “Letra e Presidentit Trump është zëri i Amerikës, është mbështetja e plotë dhe unike për Kosovën dhe rajonin.”, potencoi Thaçi.

Kur u pyet se a u diskutua për taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe, Presidenti Thaçi tha së në këtë takim janë diskutuar për të gjitha çështjet e rajonit. “Do të mundohemi maksimalisht që të punojmë me vullnetin e mirë të tejkalohet dhe të hapen mundësitë për angazhimet e ardhshme, natyrisht duke mos e kushtëzuar njëra tjetrën”, tha ai.

Sa i përket takimit të radhës në mes Kosovës dhe Serbisë,  Thaçi tha se nuk pret të ketë takime të tjera para fillimit të viti të ardhshëm, meqenëse tash janë festat e fundvitit.

Në takimin e sotëm të mbajtur në Bruksel ku ka marrë pjesë Presidenti Hashim Thaçi, të ftuar kanë qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, i Bosnjes dhe Hercegovinës dhe ai i Maqedonisë. Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, kanë diskutuar për progresin e bërë gjatë këtij viti dhe për zhvillimet aktuale politike në rajon. / 21Media 

Back to top button