Handke shpërblehet me “Nobel”

Handke shpërblehet me “Nobel”

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, e ka konsideruar skandaloz vendimin e komitetit Nobel për të shpërblyer shkrimtarin Peter Handke me çmimin “Nobel” për letërsi për vitin 2019.

Ajo konsideron se ky vendim është absurd dhe i turpshëm pasi që sipas saj, Handke ishte një njeri që lavdëroi Millosheviçin apo “Kasapin e Ballkanit”, si dhe ka mbështetur regjimin e tij gjenocidial, shkruan rtv21.tv

 

Edhe filozofja, sociologija dhe profesoresha në universitetin e New York-ut Ana Di Lellia, ka reaguar për laureimin e shkrimtarit austriak me çmimin “Nobel” për letërsi.

Në postimin e saj në Facebook ajo ka thënë se Peter Handke ishte i akuzuar për mbrojtjen e Millosheviçit. Madje, ajo shton se në funeralin e presidentit serb ai kishte thënë “Unë nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Unë dëgjoj. Unë ndiej. Më kujtohet. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu sot, afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Sllobodan Millosheviç”.

Millosheviç dhe bashkëpunëtorët e tij u akuzuan dhe disa prej tyre u dënuan për dhunë seksuale si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Sot rreth orës 13:00 në Akademinë Suedeze në Stokholm u ndanë çmimet “Nobel” për letërsi. Shkrimtarja polake Olga Tokarczuk dhe autori austriak Peter Handke janë fituesit e dy çmimeve “Nobel” në letërsi për vitin 2018 dhe 2019.

Polakes iu nda çmimi me motivacionin “Për një imagjinatë narrative që me pasion enciklopedik paraqet kalimin e kufijve si një formë e jetës”, ndërsa autori austriak Peter Handke u vlerësua “për një vepër me ndikim ku me zgjuarsi gjuhësore ka hulumtuar periferinë dhe specifikën e përvojës njerëzore”

Kujtojmë se Ismail Kadare ishte një nga emrat më të diskutuar në listën e ngushtë të çmimeve, por ai as këtë vit nuk u shpërblye me këtë çmim.

Kadare në garë ishte me romanin e tij “Pallati i ëndrrave”./21Media