Përkrahja sektoriale buxhetore bëhet për herë parë për Kosovën

Këshilli i Ministrave për Reformën e Administratës Publike, ka mbajtur takimin e parë në këtë vit

Aty u tha se ky takim ka rëndësinë e veçantë në vazhdimin e zbatimit të reformave në administratën publike, në realizimin e agjendës evropiane për pjesën e administratës publike dhe për realizimin e kontratës për përkrahje sektoriale buxhetore e cila bëhet për herë parë për Kosovën.

Në këtë takim, pos kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, ishin të pranishëm edhe ministrja e Ministrisë së Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, Ivan Todosijeviq, ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ministri i MTI-së,  Bajram Hasani dhe përfaqësues tjerë qeveritarë të cilët raportuan për proceset reformuese të shënuara deri me tash.

Këshilli është udhëhequr nga kryesyesi, ministri i Ministrisë së Administratës Publike Mahir Yagcilar. Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, theksoi se reforma në administratën publike është një proces që e përcjell një administratë tërë jetën.

“Reforma bëhet me e rëndësishme në rast se ajo para vetës ka shtruar obligimet të cilat i ka parashtruar edhe Republika e Kosovës, siç janë proceset euro-atlantike dhe anëtarësimi në Bashkimin e Evropian. Reforma, si proces,  nuk nënkupton largimin e nëpunësve nga vendet e punës, por aftësimin e tyre, cilësinë , shtimin e përgjegjësisë drejt një vlere të re qeverisëse në shërbim të qytetarit të cilën po e  synon Qeveria. Nëse kësaj i përmbahemi, atëherë mund të llogarisim në ndryshime pozitive, në ngritje ekonomike, shoqërore të cilat shkojnë në dobi të qytetarit. Reforma si koncept është e përgjithshme, me qëllim që ta aftësojmë Kosovën. Pra , nëse e kemi një administratë profesionale, të përgjegjshme dhe efikasve mund të fillojmë edhe me reforma nder sektoriale, në fusha të ndryshme duke nisur nga gjyqësia, shëndetësia dhe fushat tjera”, ka thënë ai.

Në këtë drejtim kryeministri Haradinaj tha se një barrë e përgjegjësisë i bie MAP-it dhe ministrit të saj, por edhe MTI-së, MAPL-së dhe ZKM-së.

Kryeministri vlerësoi lart punën dhe angazhimin që po e bën ministri Yagcilar dhe ministrat që janë të kyçur në këtë proces.

Ministri Yagcilar foli për ecurinë dhe të arriturat e reformave në tërësi. Fillimisht ai tha se Këshilli i Ministrave për Reformën e Administratës Publike, i cili është krijuar sipas vendimit të Qeverisë dhe është prej kërkesave kryesore të Komisionit Evropian, që të ketë një trup i cili koordinon dhe adreson nevojat në fushën e Reformave të Administratës Publike.

Yagcilar theksoi se puna e bërë deri më tani është përkushtim për zbatimin e një varg dokumentesh të rëndësishme strategjike në fushën e Administratës Publike si Strategjia e Modernizimit të Administratës Publike, Strategjia e Rregullimit më të mirë, Strategia e Koordinimit të politikave dhe Strategjia e Menaxhimit Financave Publike, të cilat janë edhe pjesë e Marrëveshjes së Stabilizimit të Asosicimit, Agjendës për Reforma Evropiane, si dhe Strategjisë së Kombëtare të Zhvillimit, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kombëtar vendit tonë.

“Të gjithë jemi në dijeni, qe procesi i modernizimit është i karakterizuar me reforma të gjata, të ndërlikuara dhe shumë herë sfiduese, por me krijimin e vizionit të qartë dhe me politika reformuese ne së bashku mund të arrijmë të avancojmë dhe të përmirësojmë sistemin ekzistues në administratën Publike. Në bashkëpunim me partnerët tonë të Komisionit Evropian kemi zhvilluar konsultime të shumta në të gjitha nivelet politike dhe institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe i kemi adresuar konkluzionet e dala nga takimet e Grupit të Veçantë të Reformës së Administratës Publike”, tha ai.

Ministri shkurtimisht përmendi progresin në nivelin e politikave dhe legjislative, ku tha se është miratuar Ligji për Procedurat e Përgjithshme Administrative, janë miratuar Koncept dokumentet për ligjin e ri të Shërbimit Civil dhe për Organizimin e Administratës Publike, ndërsa, koncept dokumenti për Ligjin për Pagat është në konsultime në vazhdim.

Në këtë aspekt, ai theksoi se këto 3 draft ligjet do të shkojnë për aprovim si pako në Qeveri në fillim të vitit 2018.

Në fund, ministri Yagcilar theksoi se është e rëndësishme të ketë një konsensus politik në arritjen e synimeve për zbatimin e reformave të përcaktuara me dokumentet të lartpërmendura dhe obligimeve ngarkuara në kuadër të agjendës për reforma evropianë, zbatimin e kornizës strategjike për RAP-in dhe zbatimin e konkluzioneve të dala nga GVRAP-i 2016.

Sipas tij, ky takim i KMRAP-it ka rëndësinë e veçantë në vazhdimin e zbatimit  të reformave në administratën publike, në realizimin e Agjendës Evropiane për pjesën e administratës publike dhe për realizimin e Kontratës për Përkrahje Sektoriale Buxhetore e cila bëhet për herë parë për Kosovën.

Back to top button