Projektet e financuara nga "Swisscontact"

Projektet e financuara nga “Swisscontact”

Në kuadër të emisionit “Start Up” të RTV21, këtë javë u prezantua një përmbledhje e punës dhe aktiviteteve të organizatës zvicerane, PPSE “SwissContact” për fuqizimin ekonomik të gruas në çdo nivel gjatë këtyre tri vjetëve.

Të ftuara ishin përfaqësuesja nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Nertila Qarri – Gërguri, Edita Axhemi nga Organizata Afariste e Gruas- SHE-ERA, përfaqësuesja nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH), Leonora Kusari dhe Vildane Kelmendi, mentore nga programi “Women in Bussines”.

Qarri – Gërguri prezantoi projektin “Shtëpia ime, e drejta ime” që RrGGK-ja dhe “Swisscontact” kanë realizuar së bashku. Ky projekt ka pasur për qëllim regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të gruas apo në emër të të dy bashkëshortëve, shkruan rtv21.tv

“ E kemi parasysh që numri i pronave të regjistruara në emër të grave apo edhe në bashkëpronësi është mjaft i ultë edhe prandaj kemi dashur të ndikojmë në pikë, duke pasur parasysh se kjo ndikon drejtpërdrejtë jo vetëm në fuqizimin e gruas, por edhe në fuqizimin e fëmijëve të familjes dhe që i jep asaj një stabilitet në familje dhe njëkohësisht edhe në shoqëri”, tha Qarri – Gërguri.

Sipas saj, ky projekt ka qenë përfituese për Rrjetin dhe Swisscontact-in, pasi fuqizimi i gruas është pikë në strategjinë e tyre.

Trajnimi dhe ndërmjetësimi për shërbimet e kujdesit dhe mirëqenies është projekti që SHE-ERA ka filluar ta implemetojë së fundmi në qytetin e Prishtinës, ku grupi i parë i grave ka filluar trajnimin, ka bërë të ditur Axhemi.

“Do të mbahen gjithsej gjashtë grupe të trajnimeve me nga 15 pjesëmarrëse. Gratë do të trajnohen nga trajner të organizatave AHED dhe CIPROF”, ka thënë Axhemi, duke shtuar se programi i kësaj të fundit është me etika edukative.

Nga ana e saj, Kusari që përfaqësoi organizatën që përkrah financiarisht projektet e grave ndërmarrëse në bashkëpunim me “SwissContact”,  tregoi faktorët që ndihmuan gratë të realizojnë synimet e tyre.

Kusari tha se para se të fillohet implementimi i projektit, dy organizatat kanë analizuar tre faktorë, por gjatë punës tre vjeçare kanë parë që ka faktorë tjerë që ndikojnë në ndërmarrësi.

“Problemi i qasjes në financa, problemet sociale në shoqëri dhe i treti element ka qenë ajo që gratë kanë pasur pak njohuri në lidhje me aftësi ndërmarrësish. Tani pas tri vjetëve ne shohim duke parë që kemi një grup të madh të grave që kemi suportu, qoftë në qasje në financa apo edhe përmes trajnimeve të ndryshme, ka edhe disa probleme tjera. Problemet e para janë se gratë kërkojnë siguri para se të hynë në ndërmarrësi… dhe e dyta është se pak kanë informacione në lidhje me cilat janë mundësitë e mbështetjes së grave”, tha Kusari.

Ajo tha se një problematikë tjetër jo pak e rëndësishme është edhe qasja e grave në banka.

“ Në krahasim me botën mashkullore, meshkujt edhe nëse refuzohen disa herë nga bankat prapë tentojnë janë më këmbëngulës, kurse tek gratë nëse ajo hynë në derën e bankës dhe nuk pritet mirë apo refuzohet herën e parë, e anashkalon”, shtoi Kusari, shkruan rtv21.tv

Sipas saj, këmbëngulshmëria dhe rrezikshmëria janë dy pjesë që e bëjnë një njeri ndërmarrës.

Ndërsa, Kelmendi tregoi funksionin e një mentori. Ajo tha se mentori është një mbështetës apo udhërrëfyes që ndihmon në krijimin e vetëbesimit që potencialin dhe idetë njeriu t’i zhvillojë në mënyrën më të mirë.

“Mentori nuk është se bënë ndonjë mrekulli të madhe, por është ajo që e jep njëfarë mënyre një vetëbesim tek i mentoruari që t’i shtyjë idetë e veta”, tha Kelmendi.

Ajo shpjegoi projektin e “Women in Bussines” në përkrahje të grave ndërmarrëse apo atyre që donin të fillonin këtë rrugëtim.

“Kemi mbajt disa trajnime të disa moduleve që është menduar se janë të rëndësishme, module për zhvillimin strategjik, module për burime njerëzore, modulet për marketing dhe shitje, varësisht nga ato që vajzat kanë pasur mangësitë e tyre”, shtoi Kelmendi./21Media