Qëndrimet e partive për marrëveshjen

Qëndrimet e partive për marrëveshjen

Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO është arsyeja kryesore që partitë politike përkrahin marrëveshjen mes qeverisë së Maqedonisë dhe Greqisë. Ende pa u shpallur e njëjta, Bashkimi Demokratik për Integrim, si partner qeverisës, ishte i pari që deklaroi se do të mbështesë vendimin e Qeverisë për mbylljen e çështjes së emrit.

“Biseduam për pozicionet tona, për sfidat, dhe kryesia e ngushtë, pas atij referimi, solli vendimin që të mbështesë fuqimisht dhe plotësisht vendimin e Qeverisë dhe pozicionet e Qeverisë për mbylljen e këtij kontesti shumëvjeçar”, tha Bujar Osmani, BDI.

Nga Lëvizja “Besa” e Gashit thonë se në parim e mbështesin marrëveshjen por me qëndrim zyrtar për këtë do të dalin pasi t’i mësojnë detajet, shkruan tv21.tv

“Parimisht e mbështesim çdo zgjidhje që nuk i cenon interesat e shqiptarëve dhe të qytetarëve të tjerë, që e zgjidh kontestin me emrin e shtetit, që hapë perspektivë zhvillimore për qytetarët dhe mundëson integrim të vendit në NATO dhe BE. Mirëpo, meqë kemi të bëjmë me një çështje shumë serioze, qëndrimin tonë përfundimtar do ta deklarojmë pasi t’i kemi edhe detajet e marrëveshjes dhe kjo të diskutohet në organet e partisë”, tha Gashi.

Lideri i “Besës” opozitare, Bilall Kasami, thotë se përkundër faktit se nuk ka qenë i informuar nga kryeministri për bisedimet, ai e përkrah marrëveshjen.

“Ne përshëndesim në parim arritjen e kësaj marrëveshjeje, si një hap i nevojshëm dhe i domosdoshëm që Maqedonia të vazhdojë procesin drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Ajo që është me rëndësi të potencojmë që tani është bërë një hap dhe na pret një punë shumë e madhe në drejtim të organizimit të referendumit që e paralajmëroi kryeministri dhe ai referendum të jetë i suksesshëm”, tha Kasami.

Kërkuam qëndrim edhe nga Partia Demokratike Shqiptare, por përgjigje nuk morëm. Ndërkaq përkrahje për marrëveshjen ka ardhur edhe nga Aleanca për Shqiptarët.

“Aleanca për Shqiptarët e përshëndetë zgjedhjen e emrit, e përkrah këtë zgjedhje të emrit dhe mendoj se ky është çelësi që Maqedonia të nisë negociatat me Bashkësive Evropiane dhe me NATO-n, kurse për çështje të tjera, imtësi të tjera, nuk e dijmë, me tutje do të prononcohemi”, u shpreh Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.

Sa u përket qëndrimeve kundër, përveç VMRO-DMNE-së si partia më e madhe opozitare në vend,  me marrëveshjen e djeshme nuk pajtohen as nga partia “Maqedonia e Vërtetë” e drejtuar nga Janko Baçev.

“As nuk do të bëhet ndryshim i emrit dhe as që Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s. Me këtë sjellje, Zaev do të mbetet turp i madh për shtetin që është blerë dhe korruptuar nga qendra të jashtme”, tha Janko Baçev.

Në rast se kalojnë të gjitha hapat e parashikuara për mbarëvajtjen e marrëveshjes, Baçev mendon se e njëjta do të dështojë në Greqi, më saktësisht nuk do të ratifikohet në Kuvendin grek sepse, siç tha,

Kryeministri Tsipras nuk e ka shumicën e nevojshme për ta ratifikuar marrëveshjen. Kundër marrëveshjes mes dy qeverive ka dalë edhe e ashtuquajtura “Fraksioni demokratik i VMRO-DPME-së”.