“Ishte një betejë jo e barabartë, por ishte betejë për liri a vdekje"

“Ishte një betejë jo e barabartë, por ishte betejë për liri a vdekje”

Me rastin e 21 vjetorit të Epopesë së Vërrinit gjatë ditës së sotme janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit për të nderuar veprën e tyre karshi atdheun.

Mëngjesin e së dielës shumë familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë kishin mësyrë memorialin e dëshmorëve në Landovicë.

Me lotë në sy dhe buqeta me lule, familjarët po qëndronin sipër varreve të këtyre dëshmorëve dhe martirëve.

Bashkëshortja e dëshmorit, Selajdin Berishës, Rukija nën emocione të mëdha tha se që njëzet vite pas lufte përveç mërzisë dhe përmallimit, shteti nuk ka bërë asgjë për bashkëshortin e saj.

“Që njëzet vite i bëjmë pas lufte, unë e përmalluar, e mërzitur…shteti për Salën s’ka bërë kurgjo hiç, Sala i ka mbërri krejt do sene, tash sen s’kemi. Një përmendore ende s’ia kanë bërë”, tha Berisha.

Pjesë e këtyre homazheve ishte edhe kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, i cili tha se kujtimi për dëshmorët do të jetë i përjetshëm.

“Dëshmorët dhanë më të çmueshmen e tyre, jetën e tyre për lirinë tonë. Prandaj kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm, ku në të njëjtën kohë duhet edhe gjeneratat e reja që të merren si shembull si nderohet atdheu”, tha ai.

E komandanti i batalionit që bëri luftime në këtë betejë, njëherësh ish deputeti, Zafir Berisha përkujtoi momente të luftimeve të 21 viteve më parë, teksa tha se falë këtyre dëshmorëve e Kosova e gëzon lirinë e sotme.

“Ishte një betejë jo e barabartë, por ishte betejë për liri a vdekje. Normal përcaktimi dhe vendosshmëria e djemve dhe vajzave të UÇK-së dhe banorëve të asaj zone ishte që të rezistohet deri në fund”, tha Berisha.

Ndërsa, sekretari i OVL-UÇK dega në Prizren, Isa Bershia kërkoi nga institucionet lokale dhe qendrore që të ketë një përkujdesje më të mirë për familjarët e dëshmorëve.

“Kërkojmë nga institucionet lokale, po ashtu dhe qendrore që të ketë një përkujdesje më të mirë për familjarët e dëshmorëve”, tha ai.

Për të bërë homazhe për nder të dëshmorëve dhe martirëve të kësaj beteje ishte dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndryshe në betejën e Vërrinin e cila u zhvillua nga 1-5 shtator të vitit 1998, ranë 27 dëshmorë dhe 42 martirë.