Përkujtohet masakra e kryer në veri të Mitrovicës

“Është një ditë kobi, ditë zie, sakrifice, ditë pikëllimi”

Komuna e Mitrovicës dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, kanë organizuar sot tryezën kushtuar 19 vjetorit të masakrës së natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, nga serbët, e cila ka ndodhur në veri të Mitrovicës.

Në këtë tryezë, përveç familjarëve të viktimave, morën pjesë edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zëvendësministra, si dhe qytetarë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se kujton me dhimbje të madhe morale, njerëzore dhe shpirtërore masakrën e para 19 viteve.

“Është një ditë kobi, ditë zie, sakrifice, ditë pikëllimi të cilën sot e përkujtojmë me një dhimbje të madhe morale, njerëzore, por edhe shpirtërore. Ne gjithmonë kemi pritur të këqija nga serbët, por kjo që ka ndodhur para 19 viteve, që në mënyrë masive, tinëzare dhe kriminele pa asnjë respekt njerëzor t’i vrajnë në shtëpitë e tyre para familjarëve, nuk e kemi pritur”, ka thënë Bahtiri.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur masakër të dëbimit dhe spastrimet të Mitrovicës nga shqiptarët. Sipas tij, ajo që ndodhi atë natë tregon se për një pjesë të Kosovës lufta nuk ka mbaruar në qershor të vitit 1999.

“Unë mendoj se kjo që ka ndodhur natën mes 3 dhe 4 shkurtit të viti 2000, është masakra e dëbimit dhe pastrimit të Mitrovicës prej shqiptarëve. Në të vërtetë ajo që ndodhi atë natë tregon se për një pjesë të Kosovës lufta nuk është kryer në qershor të vitit 1999, por vazhdoi edhe pas kësaj date. Ne gjithmonë duhet t’i konsiderojmë si krime të shtetit serb, jo thjesht të individëve apo të bandave. Dhimbja jonë do të jetë gjithmonë me familjet e të vrarëve, familje këto të cilat në Kosovën e lirisë kurrë nuk patën drejtësi”, theksoi Konjufca.

Ndërkaq, Halit Barani, kryetar i KLMDNJ-së në Mitrovicë, ka bërë të ditur se kriminelët serbë natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 organizuan aksionin më të llahtarshëm dhe më mizor, duke vrarë 10 shqiptarë, plagosur 25 të tjerë, ndërsa kanë keqtrajtuar 92 shqiptarë. Ai potencoi se kjo masakër për nga mënyra si është kryer, është më e dhimbshmja, për shkak se qytetarët u tradhtuan dhe u vranë në pabesi, ngase kishin menduar se janë të siguruar nga prania e forcave ndërkombëtare.

“Kriminelët serbë të drejtuar nga liderët e tyre ekstremistë, tashmë të njohur e që ishin në kontakt me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, duke parë se shqiptarët nuk po heqin dorë nga pronat e tyre, natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 organizuan aksionin më të llahtarshëm dhe më mizor. Ata vranë në shtëpitë e tyre 10 shqiptarë të pafajshëm të të gjitha moshave dhe gjinive, plagosën 25 të tjerë, shumë rëndë fizikisht keqtrajtuan 92 persona, ku dy prej tyre pastaj më 27 dhe 28 shkurt vdiqën në spitalin e Prishtinës. Kjo masakër për nga mënyra si është kryer, është më e dhimbshmja, pasi këta qytetarë u tradhtuan dhe u vranë në pabesi, sepse kishin menduar se janë të siguruar nga prania e forcave ndërkombëtare”, u shpreh Barani.

Në anën tjetër, Isa Mustafa, i mbijetuari i njërës prej masakrave në Mitrovicë, është shprehur i pakënaqur me mënyrën e organizimit të kësaj tryeze.

“Jam i prekur që kjo të organizohet në këtë formë. Duhet të pyeten edhe familjarët çfarë halli kanë. Kështu të vazhdojë kjo zotëri Glauk, je më i riu dhe shpresa e politikës në Kosovë. Me një pesë ose dhjetë minutsh të përfundojë kjo kështu”, tha ai.

Ndryshe, para tryezës qytetarët kanë ndezur qirinj tek shtatorja “Mehë Uka” në shenjë respekti dhe përkujtimi për të vrarët në këtë natë tmerri, ndërsa për të pranishmit u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër rreth atyre që mbijetuan masakrën

Back to top button