Përkujtohen të rënët në Studime, familjarët të zhgënjyer

Familjarët janë shprehur të zhgënjyer me institucionet pasi që askush nuk po gjykohet për këto krime nga Serbia

Sheribane Ferati, nuk mund të ndalte lotët përderisa fliste për të dy vëllezërit e saj të vrarë 18 vjet më parë. Dy vëllezërit e saj janë në mesin e 116 shqiptarëve të masakruar më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime.

Sheribanja thotë se asgjë nuk është bërë asgjë për të rënët në këtë masakër që është njëra ndër më të mëdhatë në Kosovë.

Madje as varrezave e të masakruarve të Studimes nuk janë rregulluar.

“Jam kanë me ta bashkë, jam ndarë prej tyre ma shtir nuk kish, s’mundem me vlerësua kurrgjë. Nuk mundem me fol për ta më shumë kurrgjë. E vonuar, kurrgjë për ta s’ka pas, janë shku edhe veç i kanë shkel, kurrkush nuk është kujdes për varreza as për kurgjo. Kurrgjë për ta kurrgjë s’kanë bërë, janë shkuar që 18 vjet dy, ma i vogli dhe ma i madhi na kanë shkuar”, tha Sheribane Ferati.

Zhgënjimin ndaj institucioneve të Kosovës e ka shprehur edhe Isa Gërguri. Atij në këtë masakër i janë vrarë motra, axha dhe dy vajzat e vëllait.

Gërguri tha se kjo është drejtësi e vonuar dhe e pa interesuar, drejtësi që po i ndjek ata që s’kanë bërë asgjë, por që ata që janë fajtorë po lihen të lirë.

“18 vite kanë kaluar edhe për ta nuk është bërë kurrgjë, as nuk kanë ndihma, as kanë dhënë kurrgjë hiç. Sidomos për familjen time. Kanë ngritë aktakuzë, kanë pyet do do, do i kanë pyetur do si kanë pyet hiç, por edhe ata dihet se kush janë kanë, unë jam kanë në kolonë atë natë, na kanë marrë pare. Mua motrën ma kane mbyt, dy çika të vëllait. Drejtësi e vonuar, drejtësi e pa interesuar, drejtësia po i ndjek këta tanët që s’kanë bërë pothuajse kurrgjë hiç, nuk i ndjek ata që janë andej urës së Ibrit”, tha ai.

Kajtaz Rexhepi, i cili ka të vrarë valluan dhe djalin e vëllait, tha se askush nuk është dënuar për këtë masakër dhe se nuk i intereson kurrkujt.

“Kurrkush nuk është dënuar, si intereson kurrkujt po çka me ba. Është drejtësi e vonuar që 17 vjet 18 sa po i bëjnë, kjo masakër edhe vetë jam duke menduar qysh kanë muajt, qysh ka ndodhur kjo. Kurrkush mos me u interesua për ta. Dy djemtë e vëllait pa punë pa send, sillen kurrgjë hiç. Qatë pension që e marrin të burrit ose të djalit por kurrgjë hiç”, tha Rexhepi.

Për nder të kësaj masakre sot pranë varrezave të të rënëve është mbajtur edhe një akademi përkujtimore.

Në këtë akademi përveq disa deputetëve që vijnë nga kjo anë dhe komandatit të FSK-së Rrahman Rama askush nga Qeveria dhe institucionet tjera nuk ka qenë në Studime.

Akademia është organizuar nën patronatin e kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, i cili edhe pse mori pjesë në akademi nuk mbajti fjalim. Në emër të komunës një fjalë rasti ka mbajtur drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Shpresa Rama.

Rama, tha se janë mbledhur për të përkujtuar njërën nga masakrën më gjenocidiale të Kosovës në të cilën ushtria serbe ka vrarë qindra shqiptarë.

Po ashtu, ajo tha se dhimbja bëhet edhe më e madhe kur e dinë se ata që e shkaktuan janë të lirë dhe ende asnjë nuk është dënuar.

Në emër të të rënëve një fjalë rasti ka mbajtur Arsim Gërxhaliu, i cili tha se nuk do të ndalen së kërkuari të gjithë ata që janë të zhdukur, por në të njëjtën kohë kërkoi edhe nga institucionet që të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

Më shumë punë për të pagjeturit ka kërkuar edhe Bajram Qerkini, kryetari i Komisionit për të Zhdukurit nga Mitrovica.

Ai tha se pushteti qendror dhe ai lokal duhet të kujdesen jo vetëm për të zbuluar fatin e të pagjeturve por edhe duhet të kujdesen për të gjallët.

“Prej pushtetit lokal e deri tek ai nalt të kujdesohen më shumë jo vetëm për hulumtimin e të pagjeturve, ku është burimi kryesor, por edhe për të gjallët. Më vjen shumë keq se fëmija e tyre nuk kanë përparësi qysh kanë të tjerët, as për punësim, as për shkollim, as për strehim. Neve stërnipat na u kanë bërë me fëmijë, me ligjin i cili është nxjerrë është shumë i dobët nuk kanë përparësi edhe shpejt baballarët po shkojnë, por edhe djemtë e tjerë janë rritë e i kanë kaluar 20 vjetshin. Ai që ka lindur gjatë luftës i ka 18 vjet. Shumë kemi që janë rritur babë e pa nënë, çfarë beneficionesh kanë sot ata, ku janë ata. Pra, pushtetit lokal edhe pushtetit qendror ku kemi këtu deputetë duhet të ndryshohet ligji sa më shpejtë dhe të ndihmohen edhe të gjallët”, tha Qerkini.

Masakra e Studimes ka ndodhur me 2 maj të vitit 1999, ku në këtë masakër kanë mbetur të vrarë 116 persona. Tash së fundi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një serbi nga Vushtrria me akuzën se ka kryer krime lufte ndaj civilëve shqiptarë e në mesin e tyre edhe ndaj të vrarëve në Studime.

Back to top button