Para 55 vjetësh u mbyt Fazli Grajçevci në burgun e Prishtinës

Para 55 vjetësh u mbyt Fazli Grajçevci në burgun e Prishtinës

Në Prishtinë sot është mbajtur orë përkujtimore për heroin e kombit Fazli Grajçevci. Aty u fol për jetën e tij dhe përkushtimin e tij kombëtar.

Meriman Braha nga shoqata e të burgosurve politik, që edhe janë organizator të kësaj ngjarje, tha se Fazli Grajçevci ka ndjekur rrugën e çlirimit kombëtar.

“Ka ndjekur rrugën e çlirimit kombëtar. Në 55 vjetorin e rënies në tortura, ai ndriçon fort, është shpirti dhe ideali i tij që bën dritë edhe sot dhe do të bëjë edhe në kohë me të mira që do të vijnë. Është flakadani Fazli Grajçevci që ndriçon”, tha ai

Veprën e Grajçevcit e ka kujtuar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrimi në llogarinë e tij “Facebook”.

“Para 55 viteve u mbyt mizorisht në burgun e Prishtinës njëri ndër patriotët më të shquar të lëvizjes kombëtare, mësuesi dhe edukatori Fazli Greiçevci. Emri i tij u bë simbol i flamurit tonë kombëtar dhe frymëzim për gjeneratat atdhedashëse që vijuan përpjekjet për çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Gjithashtu, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka thënë se Fazli Graiçevci do të mbahet mend si mësues, edukator dhe revolucionar.

“Vetëm 29 vjeçar, ai u shënjestrua nga regjimi i kohës. Mizorisht u shua jeta e tij 55 vite më parë, por ai mbeti frymëzim për brezat, amanetin e të cilit e patën udhërrëfyes deri në çlirimin e vendit. Lavdi e përjetshme”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Fazli Grajçevci ishte një aktivist, poet, intelektual dhe patriot i cili u bë i njohur si “simbol i flamurit” midis shqiptarëve gjatë viteve 1960 në Jugosllavi. Më 1964, policia sekrete e shtetit jugosllav e  arrestuan dhe e burgosën. Pas 14 ditësh torturimi, ai vdiq në burgun e Prishtinës më 17 gusht./21Media