Reforma në arsim përplas Kastratin dhe SBASHK-un

Reforma në arsim përplas Kastratin dhe SBASHK-un

Kryetari i Komunë së Kamenicës, Qëndron Kastrati, është i bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm. Kastrati thotë se ky riorganizim vjen si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur.

Pas hulumtimit të gjendjes në terren për më shumë se një vit; konsultimit me dhjetëra profesionistë të fushës në Kosovë, Shqipëri, e më gjerë; dhe sidomos për shkak të fëmijëve të cilët janë fokusi ynë kryesor, ne jemi të bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm. Riorganizimi vjen si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur. Kamenica sot ka 40% më pak nxënës sesa në vitin 2011. Në më shumë se gjysmën e shkollave në Kamenicë, klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. 19 nxënës e kanë vetëm një shok klase dhe 25 të tjerë nuk e kanë asnjë shok klase. Unë si kryetar komune nuk mund të mos veproj për ta ndryshuar këtë situatë. E kam obligim moral, por edhe ligjor të mendoj për të mirën e brezave të ardhshëm, pavarësisht pasojave në popullaritetin tim, apo të tjera”, tha Kastrati.

Hallin më të madh Kastrati e ka me partitë politike, siç thotë ai që po keqpërdorin këtë çështje.

Nuk e kemi besuar, por e kemi pritur keqpërdorimin e kësaj çështjeje nga partitë politike, ndonëse në takime private e mbështesnin dhe lavdëronin reformën. Si politikan, e kuptoj tendencën për votëzim të çdo shanse, mirëpo filozofia e mirëfilltë e politikëbërjes kërkon që raste të caktuara të cilat e ndikojnë drejtpërdrejt qytetarin të mos kalkulohen politikisht. Keqpërdorimi i nevojave dhe situatës së mësimdhënësve të cilët që nga paslufta janë trajtuar vetëm si klientelë është tejet brengosës”, theksoi Kastrati.

I pari i Kamenicës në hall është edhe me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Këta të fundit ditë më parë paralajmëruan grevë nëse shkollat mbyllen.

Sipas Sindikatës, vendimi për mbylljen e 19 shkollave në Kamenicë është vendim i ngutshëm dhe i pa analizuar mirë.

Për grevë, SBASHK-u insistoi edhe pas takimin me Kastratin, ku ai e ripërsëriti se kjo reformë në arsim nuk ka për qëllim largimin e njerëzve nga puna.

Me gjithë insistimin tonë për dialog, duke prezantuar para tyre një platformë të rëndësishme për të ardhmen e mësimdhënësve si kolektiv, SBASHK ishte totalisht irracional. Kjo organizatë nuk mund të shohë përtej grevës si qëllim, mjet, ide, arsye, e pasojë. E ne mendojmë që arsimi në përgjithësi, por edhe nevojat e mësimdhënësve në veçanti janë të shumta, mjetet e dialogut poashtu janë të ndryshme, dhe racionaliteti është mënyra e vetme për të arrit qëllimin e përbashkët për kualitet më të lartë në arsim. Unë e kuptoj rëndësinë e përfaqësimit të qytetarëve dhe gjithëpërfshirjes. Për këtë arsye kam kërkuar referendum. Për këtë arsye kam shkuar në çdo lokalitet për ta prezantuar idenë. Pavarësisht situatës së krijuar dhe nxitur nga partitë politike. I kemi dëgjuar qytetarët dhe sot po e bëjmë ashtu siç ka kërkuar shumica dërrmuese”, shtoi Kastrati.

Ai tha se kjo reformë në arsim do të realizohet gjatë këtij mandati qeverisës.

“Implementimi do të ndodhë i ndarë në faza. Këtë shtator do të fillojmë me shkollat “Fan S. Noli”, “Dëshmorët e Kombit”, “Hasan Prishtina”, “7 shtatori”, “Idriz Seferi” dhe “Nuhi Berisha”. Këto shkolla janë mostër reprezentative duke përfshirë një fshat me numër të madh të nxënësve si Busavata, fshatra me numër të mesëm të nxënësve, si Krileva dhe Strezoci, si dhe Tugjeci si fshat me numër më të vogël të nxënësve. Transporti i nxënësve do të fillojë menjëherë dhe për detajet e tjera do të informojmë grupet e përfshira në vazhdimësi. Reforma do të realizohet e plotë, jo sepse e kam iniciuar apo është interes imi personal, përkundrazi. Reformën e kërkon situata, dhe është e domosdoshme për nxënësin e Kamenicës. Kjo ka qenë pika e përbashkët me qytetarët dhe unë e respektoj këtë”, përfundoi kryetari./21Media