Përleshen me thika vëzhguesit në Vorë, reagon Tahiri

Tahiri reagon për incidentin në Vorë: Meta po nxit tensione

Një incident me thika ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Ahmetaq në Vorë. Sipas policisë, mësohet se në konflikt janë përfshirë edhe vëzhgues.

Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes po heton për zbardhjen e plotë të incidentit.

Ndërsa, ish- ministri Saimir Tahiri ka reaguar pas incidentit të raportuar në Vorë dhe ka akuzuar LSI-në, duke e quajtur Ilir Metën “qen që leh, por nuk të ha”, si dhe u ka bërë thirrje militantëve të saj që të ruajnë qetësinë nga provokimet e LSI-së.

Deklarata e plotë e Tahirit:

“Ju shpreh keqardhjen për tensionimin që Presidentit i zgjedhur Ilir Meta, ka nxitur e po nxit në Vorë nga dje dhe sot në vazhdim.

Ilir Meta ka angazhuar një rrjet njerëzish me precedentë penale, për të provokuar e penguar votuesit e zonës.

Janë të njëjtët që e kthyen Vorën në një vendgrumbullim mercenarësh ordinerë të Ilir Metës në zgjedhjet e kaluara vendore.

Partia Socialiste Tiranë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Vorës me të drejtë vote, të marrin pjesë masivisht në votim dhe të mbajnë mirë parasysh sot shprehjen e urtë të popullit, “Qeni që leh nuk të ha”.

Mos bini pre e provokimeve që organizon i dëshpëruari Ilir Meta dhe konsiderojini kërcënimet e tij, shenja të ç’ekuilibrimit të një politikani që nuk po kupton dot se si do jetojë pa pushtet!

Ruani qetësinë!”, ka shkruar Tahiri.

Back to top button