Minxhozi e ka vlerësuar lart ndihmën që po ofrojnë institucionet dhe bizneset e Kosovës për Shqipërinë

Minxhozi e ka vlerësuar lart ndihmën që po ofrojnë institucionet dhe bizneset e Kosovës për Shqipërinë

Nga Dogana e Republikës së Kosovës rreth 15 kontingjent me ndihma ushqimore janë nisur drejt Shqipërisë për t’iu dalë në ndihmë zonave të Fierit dhe Vlorës, të cilat janë prekur më së rëndi nga përmbytjet e fundit.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi e ka vlerësuar lart ndihmën që po ofrojnë institucionet dhe bizneset e Kosovës drejt zonave të prekura nga vërshimet që kapluan Shqipërinë.

Sipas Minxhozit, zona e Fierit ka nevojë për sigurim të ushqimeve për bagëtitë, të cilat janë në gjendje kritike. Ai po ashtu tha se rreth 500 persona nga Prizreni kanë përgatitur 500 pako me gjëra ushqimore elementare për t’iu dalë në ndihmë zonave të rënduara të asaj ane.

“Nevojat janë të gjithanshme, por ajo që është më emergjente është sigurimi i bazës ushqimore për bagëtitë të cilat janë në gjendje kritike sidomos në zonën e Fierir dhe Vlorës. Sot nisen 15 mjete nga e gjithë Kosova nga Peja nga Gjilani, nga Vitia kudo dhe ka një angazhim të jashtëzakonshëm që është shumë karakteristike kësaj radhe të bizneseve të vogla në vete. Një shembull shumë interesant është i shoqatave të biznesit nga Prizreni ku 500 individë kanë bërë 500 pako, të cilat sot do të transportohen drejt zonës më të rënduar të rrethit të Fierit në Therras”, tha ai.

Minxhozi po ashtu se tha se kontingjentet që po nisen drejt Shqipërisë po ndihmojnë bagëtitë e Fierit me bar, koncentrate, sanë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë po ashtu tha se dhe Policia e Kosovës u ka dalë në ndihmë forcave policore të Shqipërisë për të përballuar situatën e krijuar në atë anë.

Visar Ymeri nga kompania “Oraca” e Gjilanit, tha se rreth 20 tonë ushqime për bagëti sot janë duke i bartur drejt zonës së Vlorës pasi ka mungesë të madhe të ushqimit për kafshë.

“Për Shqipërinë sot jemi duke bartë ushqim për kafshët për në Vlorë në bazë të vërshimit që ka pasur, ka mungesë të madhe dhe kanë organizuar komunat e Kosovës. Na jena prej komunës së Gjilanit. Kemi misër, koncentrate afër 20 tonë peshë”, tha ai.

Ndërsa, Florim Bytyqi nga kompania “Kushtimi” tha se edhe komuna e Malishevës është organizuar për t’iu dal në ndihmë zonave të përmbytura në Shqipëri.

Ai tha se në kontingjentin e tij ka rreth 7500 kilogramë krunde për kafshët.

“Edhe komuna e Malishevës sikur komunat tjera qysh po i shihni edhe ju ka bërë një organizim me iu dalë në ndihmë zonave të përmbytura në Shqipëri. Shqiptarët e kanë pas çdo herë traditë me i ndihmuar njeriut kur është në zor edhe na kemi shprehur dëshirën me aq sa kemi mundësi. Kontingjenti im ka për bagëti, krunde, kemi 7500 kilogramë, 300 thasë”, tha ai.

Sipas tij në ditët e ardhshme do të ndërmarrin edhe iniciativa tjera për t’iu ndihmuar zonave të prekura nga përmbytjet në Shqipëri.

Ndërsa, për dallim nga këta dy, Yrjet Berisha nga qyteti i Prizrenit tha se kompania Abi së bashku me disa kompani tjera kanë grumbulluar gjëra ushqimore elementare si vaj, kripë për t’iu ndihmuar vëllezërit në Vlorë.

“Kompania Abi dhe disa kompani janë grumbulluar për me dërguar ndihma për vëllezërit tanë në Vlorë ku ka ndodhur vërshimet. Kemi vaj, kripë këto gjërat më elementare që janë më të nevojshme për familje”, tha ai.

Berisha po ashtu tha se do të vazhdojnë për t’iu dalë ndihmë familjeve në Shqipëri që janë prekur nga vërshimet e fundit.

Ndryshe, disa zona të Shqipërisë janë përmbytur nga reshjet e mëdha të shiut.