Përparime në bisedimet për bashkimin e Qipros

Numri një i OKB-së takoi gjithashtu përfaqësues të garancive mbi sigurinë e ishullit, Greqi, Turqi, Britani e Madhe dhe BE-së

Janë bërë përparime në bisedimet mbi bashkimin e Qipros, njoftoi sot OKB-ja në një komunikatë të publikuar pas një serie takimesh të niveleve të larta të zhvilluara në Zvicër.

“Takime shumë konstruktive u zhvilluan mes sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dhe presidentit qipriot grek, Nicos Anastasiades si dhe atë qipriot turk, Mustafa Akinci”, deklaroi një zëdhënës i Guterres, raporton AFP.

Në kuadër të vizitës së tij prej 24 orësh, numri një i OKB-së, që u largua sot, takoi gjithashtu përfaqësues të garancive mbi sigurinë e ishullit, Greqi, Turqi, Britani e Madhe dhe BE-së.

“Një mirëkuptim i përbashkët u shfaq mbi një paketë që mund të sjellë një zgjidhje të përgjithshme për çështjen e Qipros, një territor i ndarë që prej 40 vitesh”, theksoi zëdhënësi pas një takimi të Guterres me krerët e delegacioneve.

Para se të zhvillonte këtë seri takimesh, Guterres i kishte kërkuar krerëve qipriotë që ta shfrytëzojnë rastin historik që përbëjnë këto bisedime paqeje në Zvicër.

Back to top button