Protestat në Hong Kong po zhvillohen çdo fundjavë që nga fillimi i qershorit

Protestat në Hong Kong po zhvillohen çdo fundjavë që nga fillimi i qershorit

Në një tubim të paautorizuar antiqeveritar në Hong Kong, policia sot përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në një lagje turistike, gjë që solli deri te përleshjet që zgjatën disa orë në territorin autonom kinez.

Protestuesit pro-demokrat vendosën barrikada në rrugë, hodhën kokteje molotov dhe dogjën hyrjen në metro, duke përdorur taktikat “godit dhe ik” kundër policisë, transmeton KosovaPress.

Tensionet janë rritur ndërsa protestuesit u pritën sot nga forca të mëdha policore, sjellja e të cilave në protesta është një nga arsyet e demonstratave.

Protestuesit bërtisnin “Policë gangsterë, vdekje për tërë familjen tuaj”.

Policia është kritikuar për përdorimin e gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe topave të ujit për të shtypur demonstratat në muajt e fundit.

Muajin e kaluar, anëtarët e ekipit të saj përdorën gjithashtu municion dhe plagosën një adoleshent në gjoks.

Nga ana tjetër, policia thotë se janë viktima të dhunës, pasi protestuesit po i gjuajnë me gurë dhe koktej molotov.

Protestat në Hong Kong po zhvillohen çdo fundjavë që nga fillimi i qershorit. Ato shpërthyen në shenjë pakënaqësie ndaj një projektligji për ekstradim që parashikonte ekstradimin e të dyshuarve në Pekin, por shpejt u shndërrua në një luftë për të drejtat demokratike dhe mbrojtjen e lirive për Hong Kongun, të garantuara për 50 vjetët e ardhshme në vitin 1997 kur Britania e Madhe ia dorëzoi territorin Kinës.

Edhe pse qeveria tërhoqi zyrtarisht të mërkurën projektligjin e diskutueshëm të ekstradimit, duke përmbushur një nga kërkesat kryesore të lëvizjes protestuese, demonstratat nuk po ndalen.

Njëri nga protestuesit tha sot se “problemi është shumë më i vjetër” sesa projektligji i diskutueshëm.

“Ne e shohim se e ardhmja (jonë) është nën kontrollin kinez. Ne shohim që të gjitha rregullat dhe ligjet kanë filluar të kontrollohen nga qeveria kineze. Njerëzit e Hong Kongut nuk po pyeten për vendin e tyre dhe ky është një problem, “tha protestuesi, i cili e prezantoi veten vetëm si Nefets.