Ata ikën nga kjo botë, por veprat e tyre ruhen me fanatizëm

Ata ikën nga kjo botë, por veprat e tyre ruhen me fanatizëm

Viti që po lëmë pas karakterizohet me disa humbje të personaliteteve të shquara shqiptare të cilat kontribuuan në çështjet kombëtare, kulturë e sport.

Vetëm katër ditë pasi u nderua me titullin “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë, në moshën 63 vjeçare me 12 janar vdiq valltari Rexhep Çeliku.

I njohur për performancat e tij të jashtëzakonshme të valleve shqiptare, ai u prezantua në rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Andaj mjeshtri i valles do të kujtohet përherë si simbol i  valles shqiptare, shkruan rtv21.tv.

 

Janari nisi edhe me një humbje për artin dhe kulturën. Poet i njohur dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Basri Çapriqi vdiq më 14 janar në moshën 58 vjeçare.

Çapriqi la pas vetës një krijimtari të pasur letrare. Ka botuar shtatë përmbledhje me poezi dhe pesë libra me kritikë letrare dhe studime. Librat më të njohur me poezi janë: “Ulli me dymijë unaza”, “Ma qet gjuhën”, “Frutat bizare”, “Zbutja e gjarprit”, “Përkryrja e shiut”. Librat me kritikë: “Mikrostruktura e tekstit”, “Simboli dhe rivalët e tij”, “Paradigma kadareane” etj.

 

Rapsodi Ibrahim Sefë Gashi i njohur si njëri nga bijtë e  rapsodit tjetër të shquar Sefë Mleqanit ,  vdiq po ashtu në fillim të vitit 2018 më 18 janar.

Ibrahimi, bashkë me vëllezërit e tjerë, ishin inspiruesit kryesor të rezistencës së shqiptarëve, andaj këngët e tyre mbesin si elementi më i mirë për t’i kujtuar ata., shkruan rtv21.tv.

 

Pas një sëmundje të shkurtër këtë vit nga jeta u nda edhe gazetari i shquar i sportit Agim Binaku.

Binaku vdiq në moshën 62 vjeç me 9 shkurt.

Agim Binaku ishte zëvendësdrejtor i programit informativ të RTV 21 dhe redaktor përgjegjës i redaksisë së sportit të RTV 21, pjesë e të cilit ishte qysh nga fillimet e tij tash e gati dy dekada. Agim Binaku mbi të gjitha ishte emër nga më të shquarit të gazetarisë sportive, jo vetëm në Kosovë dhe në hapësirën mbarë shqiptare, por edhe më gjerë. Realizoi mijëra emisione, transmetime të drejtpërdrejta, dokumentarë, reportazhe, intervista me emra të mëdhenj të sportit kosovar, por edhe atij botëror.

 

Një humbje tjetër që tronditi opinionin publik ishte vetëvrasja e aktorit Art Kurti.

Arti u gjet i vdekur në mëngjesin e 24 prillit në Gjakovë. Vetëvrasjen e tij e konstatoi edhe Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Art Kurti njihet për rolin e gjakovarit në serialin vendor “O sa mirë”. Ai po ashtu ishte këshilltar i të rinjëve në kabinetin e kryetarit të Gjakovës, Adrian Gjini.

 

Pranvera e vitit që po lëmë pas përfundoi me një lajm të keq për dashamirësit e futbollit, por edhe mbare popullit të Kosovës. Më 9 qershor u nda nga jeta legjenda e të gjitha kohërave të futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Ai vdiq në moshën 57 vjeç, pas një sulmi në zemër.

Fadil Vokrri ishte president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK-së për tri mandate me radhë. Për nder të tij Stadiumi i  Prishtinës mori emrin “Fadil Vokrri”.

 

Edhe një ngjarje tjetër e dhimbshme ka prekur sportin e Kosovës  në qershor. Basketbollisti Gazmend Sinani vdiq në moshën 27 vjeç, pas një aksidenti trafiku që ndodhi në orët e hershme të 23 qershorit.

Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.

Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli. Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.

 

Gjatë këtij viti vdiq figura e shquar e çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Demaçi u nda nga jeta më 26 korrik në moshën 82 vjeç.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik, Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Demaçi ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Në vitin 2010 Demaçi u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

 

Ky vit mori edhe regjisorin e njohur Bekim Lumi. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë për dy vjet radhazi.

Lumi vdiq në moshën  51 vjeç më 30 korrik. Vdekja e tij ka prekur artdashësit dhe njerëzit që e kanë njohur personalisht.

Për shermin e Lumit kontribuan edhe qytetarët duke mbledhur para, por që ai nuk ia arriti të ia dilte.

Regjisori Bekim Lumi, ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatro ndërkombëtare, në të cilin u nderua më çmime të ndryshme. Ai njihej për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental, shfaqja e tij e fundit ishte “Arturo Ui”, ku mori kritika pozitive nga publiku.

 

Edhe një rapsod tjetër vdiq këtë vit, Hashim Shala i cili i këndoi lirisë, atdheut e dashurisë. Shala u nda nga jeta më 19 shtator.

Ai mbahet mend edhe për bashkëpunimet me Tahir Drenciën, këngët e tyre mbetën si perla të rapsodit shqiptar.

Kënga  “Leze Leze”, të cilën e sollën bashkë me Aida Baraku ndonëse ka kaluar dy dekada nga publikimi ajo ende dëgjohet dhe ripërpunohet nga artistët e rinj.

Ndërsa së fundmi ai publikoi edhe bashkëpunimin me Hysni Klinakun, “Zogun ndrysh e kena pa”, një kritikë Hashim Shalës për muzikën aktuale.

 

Një figurë tjetër e shquar e letërsisë u nda nga jeta këtë vit. Shkrimtari, gazetari, laureati dhe përkthyesi, Fatos Arapi vdiq më 11 tetor.

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990. Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

Këto personalitete të cilat ikën nga kjo botë në vitin 2018 do të kujtohen përherë për kontributin e tyre në fushat përkatëse. Sepse siç kanë thënë George Eliot, dhe  Adam Bebe: Të vdekurit tonë nuk janë asnjëherë të vdekur për ne përderisa nuk i harrojmë.  /21Media