Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë trajtim të barabartë në tregun e punës

Punëdhënësit takohen me punëkërkuesit

Sfida kryesore me të cilën vazhdojnë të përballen personat me aftësi të kufizuara është punësimi. Ata thonë se ende nuk është duke u dhënë mundësi e barabartë në punësim. Mos respektimi i ligjit për personat me aftësi të kufizuara gjithashtu vazhdon të jetë sfidë për këta persona.

Kështu u tha në panairin e karrierës “Takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit”, i cili është mbajtur sot në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, panair i cili kishte në fokus takimin e punëdhënësve me punëkërkuesit.

Përfaqësuesja e GIZ Kosova, Kumrije Kelmendi-Aliu, tha se ky aktivitet është i pari i llojit të tij që organizohet në Kosovë dhe se është i vlefshëm për bizneset dhe  komunitetin.

Rreth 30 të rinj anëtarë të shoqatës Down Syndrome Kosova janë duke u trajnuar në programe të ndryshme përmes qendrave të aftësimit profesional. Po ashtu, kemi arritur që të bëjmë përshtatjen e moduleve të këtyre qendrave, të cilat do të thotë do të kenë një qasje shumë më miqësore për trajnimin e personave me Down Syndrome  dhe grupeve të tjera me aftësi të kufizuara. Ky aktivitet që sot e kemi që zhvillohet për herë të parë në Kosovë, që do të jetë një kombinim i panairit të karrierës po edhe prezantimi se sa është e rëndësishme dhe sa është e vlefshme si për bizneset ashtu edhe për komunitetin në përgjithësi që këta persona të jenë pjesë aktive e tregut të punës ”, u shpreh Kelmendi-Aliu.

Nga Shoqata Down Syndrome Kosova, Kosovare Bunjaku, tha se personat me këtë sindrom duhet të kenë trajtim të barabartë në shoqëri.

Fillimisht i kemi identifikuar anëtarët të cilët janë të gatshëm për një vend pune, më pas të njëjtëve u është mbajtur trajnim për shkathtësi të buta dhe paralelisht me këtë i kemi kontaktuar bizneset si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik. Kemi bërë paralelisht edhe përshtatshmërinë e tyre me punëdhënësit e ndryshëm varësisht prej shkathtësive dhe aftësive të anëtarëve. Sot kemi prezentë veç më të mirët, ata të cilët kanë refuzuar të verbohen prej stigmës dhe i kanë hapur dyert e pranimit. Personat me Sindromën Down, personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë të drejta dhe trajtim të barabartë në shoqëri, është kjo një linjë të cilën e dëgjojmë shumë shpesh në bisedat tona dhe është pikërisht një synim i tillë që na ka shtyrë vazhdimisht të avokojmë për të drejtat e tyre, mirëpo sot më së paku kemi për të avokuar ne si staf i shoqatës, sepse sot do të avokojnë vetë anëtarët e Shoqatës Down Syndrome Kosova. Ata janë zemra e krejt këtij eventi”, tha Bunjaku.

Për kryetarin e Forumit Kosovar për Aftësi të Kufizuara, Bujar Kadriu, sfidë bazike për personat me aftësi të kufizuara është mos zbatimi i ligjit për personat me aftësi të kufizuara, që sipas tij, ky mos zbatim është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën.

Kadriu tha se sfidë vazhdon të jetë edhe paragjykimi që shoqëria ka për këtë kategori të njerëzve.

Vazhdimisht synojmë të avokojmë apo të fuqizojmë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në relacion me punësimin, sepse konsiderojmë që pa një punësim apo pa një qasje të barabartë për punësim për personat me aftësi të kufizuara nuk mund të kemi zhvillim të hovshëm. Sepse, përveç anës humane njëkohësisht ekziston një kornizë ligjore, e cila është e obligueshme të zbatohet dhe sfida kryesore është tek institucionet e vendit që fatkeqësisht në Kosovë ekzistojmë mbi 70 mijë shërbyes civil dhe kur e marr këtë shifër për bazë nënkuptojë që po të ishte zbatuar ligji në plotëni sigurisht që punësimi i personave me aftësi të kufizuara do të ishte shumë më i lehtë. Prandaj, kjo është një sfidë kryesore”, tha Kadriu.

Aldi Hoxha, anëtar i Down Syndrome Kosova, i cili është i punësuar, u shpreh se i pëlqen të punojë dhe të jetë i pavarur financiarisht.

Ne bëjmë kartolina, punojmë në shitjen e mjaltës, paketimit ku është mjalti. Kemi kamerier dhe banakier ku bëjmë çaj, kafe. Po shumë, tepër”, tha Hoxha.

Në këtë aktivitet nga zyrtarë të Agjencisë së Punësimit në Kosovë u bë thirrje që të gjithë personat me aftësi të kufizuara të regjistrohen në zyrat e punësimit, pasi sipas tyre është një mënyrë më e lehtë të gjejnë punë.

Po ashtu, biznese të ndryshme që kanë të punësuar persona me aftësi të kufizuara treguan përvojat e tyre, e që të gjithë bënë thirrje që personat me aftësi të kufizuar të punësohen.

Ky panair është organizuar nga Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Qeverisë gjermane.

Back to top button