Përurohen punimet në rreth-rrotullimin Prishtinë- Lipjan

Rruga e Magures pritet të përmbyllet shumë shpejt

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku së bashku me kryetarin e komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, kanë përuruar inaugurimin e punimeve për ndërtimin e një rreth-rrotullimi në rrugën nacionale Prishtinë-Lipjan.

Ata inspektuan edhe punimet në rrugën Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi, e cila ka filluar asfaltimin në gjatësi prej 5.026 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash.

Zharku ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të zbatojë memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në mes MI dhe Komunës së Lipjanit  për realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore në këtë komunë, të cilat do të realizohen gjatë këtij viti.

“Tanimë po punojmë në rekonstruktimin apo ndërtimin e rrugës Lipjan- Magurë. Do të vazhdohet sivjet prej Magurës deri në Blinajë. Do të kemi zgjerimin e hyrjes prej rrugës  Prishtinë-Shkup, hyrjen e Lipjanit zgjerimin në katër korsi. Përveç kësaj, natyrisht, se do të kemi rekonstruimin e rrugës në Gadime. Janë edhe disa projekte të tjera më të vogla”, tha Zharku.

Ahmeti theksoi rëndësinë e këtyre projekteve infrastrukturore për komunën e Lipjanit, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin më të madh të kësaj komune.  Ai tha se rruga e Magurës është ndër më të rëndësishmet që pritet të finalizohet shumë shpejt.

“Është një shumë rreth 3 milionë euro që  këtë vit po investohet në rrugët e Lipjanit, që janë kryesisht rrugë regjionale dhe disa rrugë të tjera lokale. Një ndër rrugët më të rëndësishme është rruga e Magurës, e cila është shtuar dinamika për ta përmbyllë sa më parë këtë investim,” tha Ahmeti.

Ndërkaq, pronari i kompanisë “Dino”, Abedin Salihu  ka thënë se përfundimi i këtij projekti  pritet të bëhet brenda 60 ditëve.

“Ne po planifikojmë që nga dita e fillimit, afër 60 ditë të përfundojë tërë projekti. Kjo është në planin tonë dinamik dhe besoj që do të realizohet pa asnjë problem ,për arsye se është e nevojshme edhe për qytetarët, por edhe jemi të përgatitur që ta realizojmë projektin”, ka thënë Salihu.

Ndryshe, projekti për asfaltimin e rrugës Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi është financuar nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë 439,916.54 euro dhe ka një gjatësi prej 5026 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash.

Po ashtu, projekti tjetër i ndërtimit të rreth-rrotullimit në rrugën nacionale Prishtinë – Lipjan   është financuar nga MI, në vlerë 242 mijë e 310euro./21Media

Back to top button