Të pranishëm Veseli, Gashi e Ilazi

Të pranishëm Veseli, Gashi e Ilazi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka përuruar sot fushën e futbollit në këtë komunë si dhe ka parë nga afër punimet në palestrën e sporteve, projekte të cilat kapin vlerën mbi 1 milion euro.

Veseli ka përgëzuar ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi për realizimin e këtyre projekteve, si dhe kryetarin e Komunës së Kaçanikut për punën transparente.

“Rinisë, urime kjo fushë e sportit. Sot jam midis dy bartësve të përgjegjësive institucionale, të cilët janë shembull për të tjerët në institucionet e Kosovës. Janë njerëz që punojnë me transparencë, punojnë për qytetarët dhe janë të pakorruptuar. Ky është imazhi që duhet t’i japim Kosovës. Kosova është vend i shpresës, i rinisë. Kosova është vend i besës dhe i besimit. Nuk do të lejojmë që rinia jonë të shkojë. Do të investojmë në rini. Kjo është vetëm një pjesë e investimit në këtë drejtim. Do të investohet edhe më shumë, edhe në fusha të tjera, në mënyrë që të krijojmë perspektivë, të ketë vende pune dhe të rinjtë të mos ikin në vende të tjera. Kaçaniku ka mundësi të jashtëzakonshme të zhvillimit. Ne do të përfundojmë këto investime, që arrijnë shifrën në 1 milion e 200 mijë euro. Përveç kësaj fushe, është edhe pallati i sportit i cili po qëndron këtu prej 10 vjetësh dhe do të përfundojë brenda qershorit. Ky është edhe zotimi i ministrit të Kulturës”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka thënë se rinia e kësaj komune ka merituar terrene të mira sportive dhe tani falë bashkëpunimit me kryetarin Besim Ilazi, si dhe mbështetjen e kryeparlamentarit, këto projekte po realizohen.

Nga ana e tij, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka falënderuar kryeparlamentarin Kadri Veseli për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve në këtë komunë.​