Një trashëgimi  e madhe për shkencën dhe kulturën tonë

Një trashëgimi  e madhe për shkencën dhe kulturën tonë

Në mjediset e Akademisë u bë përurimi i “Leksikonit të vendbanimeve, Vëllimi II, Vendbanimet rurale, A-LL”, në 736 faqe, i ilustruar me foto për objekte të ndryshme gjeohapësinore, të trashëgimisë natyrore e kulturore dhe elemente fizionomike e funksionale.

Për botimin folën Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, profesoresha Justina Shiroka Pula, kryeredaktori akademik Hivzi Islami dhe recensenti akademik Anton K. Berishaj.

Në përurim morën pjesë anëtarë të Akademisë, ekspertë nga gjeoshkencat dhe shumë të interesuar të tjerë. Në hartimin e këtij botimi u angazhuan dhjetra ekspertë të shkencave gjeohapësinore, sociologë, urbanistë, planerë, ekonomistë, demografë, historianë, etnologë, planerë etj.

Botimi përmban të dhëna, fakte dhe informata relevante nga terreni për dimensionin fizik-hapësinor, demografik, funksional, historik, kulturor, ekonomik, gjeopolitik, pastaj të dhënat për dhunën, krimet dhe dëmet materiale që i shkaktoi regjimi fashisoid e gjenocidal i Serbisë  etj.

Botimi pa dyshim do të përmbushë një nevojë të kahershme për gjeoshkencat, shkencat sociale dhe opinionin e gjerë lexues dhe do të jetë një trashëgimi e madhe për shkencën dhe kulturën tonë. /21Media