Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare III në Vushtrri

QMF-ja e përuruar do të mundë t’u shërbejë rreth 10 mijë banorëve të kësaj komune

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili mori pjesë sot në përurimin e Qendrës së re të Mjekësisë Familjare III në Vushtrri. Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Vushtrri, ministri vizitoi edhe Spitalin “Sheikh Zayed” dhe Qendrën e Urgjencës në kuadër të Kujdesit Primar Shëndetësor, ku me punonjësit e këtyre institucioneve zhvilloi edhe nga një bashkëbisedim për angazhimet e tyre, sfidat dhe nevojat e këtyre institucioneve.

QMF-ja e përuruar në Vushtrri e cila do të mundë t’u shërbejë rreth 10 mijë banorëve të Vushtrisë, është donacion nga Bashkësia Islame e Vushtrrisë dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim, ndërkohë që në Spitalin e Vushtrrisë Ministri Ismaili pa nga afër punën që bëhet në këtë spital, i cili i posedon pajisjet dhe infrastrukturë moderne.

Gjatë përurimit të QMF III, bashkë edhe me autoritetet lokale të Vushtrrisë, ministri Ismaili u premtoi mantelbardhëve aty se gjatë vitit 2018, në këto institucione do të ketë rritje të stafit profesional dhe, gjithashtu, edhe furnizim të plotë me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale.

Ministri Ismaili tha se me buxhetin e rritur për shëndetësi, do të krijohen kushtet e duhura që qytetarët të gjejnë trajtimet e nevojshme në hapësirat ku jetojnë.

Back to top button