Përurohet trafostacioni i ri 5.4 milionë eurosh

Haradinaj thirrje qytetarëve në Veri të paguajnë rrymën

Sot është përuruar trafostacioni i ri në lagjen Fidanishte të Mitrovicës. Gjatë përurimit u tha se ky trafostacion do të ndikojë drejtpërdrejtë në kualitetin e energjisë elektrike për këtë qytet me rrethinë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh i lumtur që një vepër e tillë ekonomike do të stabilizojë gjendjen me furnizim të energjisë për 50 vjetët e ardhshme.

Sipas tij, vendet që avancojnë me infrastrukturë të energjisë dhe me burimet e energjisë, janë vende stabile.

Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve në veri të paguajnë e faturave të energjisë, ujit dhe shërbimeve tjera, duke thënë se vendosja e rregullit në treg është në interesin e të gjithë qytetarëve.

Kosova i ka të gjitha parametrat me qenë vend stabil në energji, pra me pas prodhim të energjisë të qëndrueshëm. Prandaj Kosova e re, investimi në termocentralin e ri, është jetik për Kosovën… Ekzistojnë rregulla për të gjithë në krejt botën, jo vetëm për shqiptarët ose serbët, jo vetëm për amerikanin, gjermanin. Produktet që i merr, i paguan sepse shërbimet paguhen. Pra është në interesin e të gjithë neve që produktet dhe shërbimet që i merr konsumatori të paguhen. Pra është në interesin e të gjithëve që të vendoset rregull në treg, në këtë rast të paguhen faturat e energjisë elektrike në veri, të paguhet uji, bërlloku, janë detyra elementare të qytetarëve dhe shoqërive normale”, tha Haradinaj.

Kryeshefi i KOSTT-it, Ilir Shala, tha se përurimi i këtij trafostacioni shënon një sukses madhor për KOSTT-in, rajonin e Mitrovicës, si dhe mbarë Republikën e Kosovës.

Me lëshimin në punë në nënstacionit Ilirida, po përmbushim kriterin e sigurisë të rrjetit transmetues, që mundëson furnizim stabil të sistemit transmetues, si dhe po kontribuojmë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit për konsumatorët e Mitrovicës. Jam I bindur se banorët e Mitrovicës do ta vërejnë këtë ndryshim pozitiv”, tha Shala.

Nga ana e tij, kryetari Agim Bahtiri tha se Mitrovica është qyteti më stabil në Kosovë. Sipas tij, ky qytet krenohet sot me paqen e krijuar dhe kjo ka bërë të mundur kthimin e investitorëve.

Sot Mitrovica krenohet me paqen të cilën e ka krijuar dhe jemi qyteti më stabil në krejt Kosovën. 55 për qind ka ra krimi dhe 72.7 për qind është zbuluar krimi. Kjo paqe dhe ky stabilizim i situatës, ka bërë të mundur që edhe investitorët të kthehen dhe të investojnë në Mitrovicë për arsye se tash Mitrovica është e sigurt për investitorët”, u shpreh Bahtiri.

Trafostacioni i ri do të mundësojë furnizimin dhe instalimin e dy linjave kabllore nëntokësore 110 KV me gjatësi 2X175 kilometra, të kyçura në linjën ekzistuese drejtimi NS Palaj – NS Vallaq.

Vlera e këtij trafostacioni që është investim i Bankës Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe KOSTT-it, kap shumën rreth 5.4 milionë euro./21Media

Back to top button