Disa reforma në parti,të tjerët për dorëheqje të Gruevskit

Disa reforma në parti,të tjerët për dorëheqje të Gruevskit

“Shfaqje e shtrenjtë e një sigurie të rrejshme”. Kështu FRODEM e përshkoi festën e mbrëmshme me rastin e përvjetorit të partisë së VMRO-DPMNE-së. Anëtarët e mëparshëm, disa prej të cilëve janë edhe themelues të partisë, thonë që në fjalimin e Gruevskit përsëri u dëgjuan fjalë të rrejshme, shpifje dhe vetëlavdërime. Nuk mungonin as armiqtë e brendshëm e as ata të jashtëm, thonë nga shoqata FRODEM. Ata konsiderojnë se anëtarët e VMRO-DPMNE-së duhet të kërkojnë dorëheqje urgjente të Gruevskit.

“Pamë se si një grup personash, të cilët  e plaçkitën Maqedoninë dhe e privatizuan VMRO-DPMNE-në, vazhdojnë të “shesin” fjalë boshe, bile edhe kërcënohen. Lideri përsëri e qortonte ashpër popullin se pse përsëri nuk ia mundësoi pushtetin absolut me 63 deputetë. Pasi që, të mjerët ata, për shkak të “furgonëve të verdhë” nuk arritën që edhe zgjedhjet e fundit t’i kurdisin si ato të mëparshmet, thuhet në kumtesën”, nga FRODEM.

“Jemi në proces të reformave dhe përgatitjeve për një fillim të ri, një mëngjes të ri, për rikthimin në pushtet të politikës më të fortë dhe më të suksesshme në Maqedoni. Populli do ta shohë dallimin mes LSD-së dhe VMRO-së. Por, jo me fjalë dhe premtime boshe, jo me punë të vogla dhe margjinale,  por me vepra, me hapa të mëdha siç bëheshin në çdo sferë, dhe me përkujdesje ndaj popullit dhe shtetit”, tha Nikolla Gruevski, Kreu i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM-ja reaguan nëpërmes një kumtese me shkrim, në lidhje me deklaratën e Gruevskit, duke thënë se tani për herë të parë, qytetarët në të vërtetë do ta kuptojnë dallimin mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. LSDM-ja përmes qeverisë së re do t’i sanojë dëmet nga mënyra e qeverisjes së Gruevskit, do t’i rikthejë drejtësinë, prosperitetin ekonomik dhe jetën, do t’i hapë perspektivat euro-atlantike, thonë nga partia. Por, analisti Aleksandar Pandov, për TV21 thotë se pjesa më e madhe e anëtarësisë dhe simpatizuesve të VMRO-DPMNE-së, kanë dëshirë por edhe presin që lideri i tyre të udhëheqë me partinë edhe në periudhën e ardhshme.

“Ato 445 mijë vota si kredi nga zgjedhjet e fundit, me ekipin dhe me agjendën që e ka formuar Zoran Zaev, mendoj se Gruevski nuk do të ketë vështirësi që ti bindë shumicën e qytetarëve, të cilët tani do të mund  të bëjnë  dhe krahasim mes këtyre dy partive”, u shpreh analisti Aleksandar Pandov.

Kishte shumë reagime në publik pasi që Gruevski para një muaji paralajmëroi reforma brenda-partiake, me kuadër të ri nëpër komitetet komunale dhe në komitetin ekzekutiv. Sipas tij, kjo do të kontribuojë që VMRO-DPMNE të bëhet opozitë e fortë dhe e përgjegjshme e cila së shpejti do të kthehet në pushtet. Nga LSDM-ja atëherë porositën që bashkëpunëtorët e tij të kyçen në proceset të cilat do të sjellin reforma për të mirën e të gjithë qytetarëve, ndërsa Maqedonia do të kthehet në rrugën euroatlantike./21Media