Shtatë persona të lënduar

Shtatë persona të lënduar

Tri aksidente me fatalitet kanë ndodhur që nga mbrëmë deri sot në mesditë në rrugët e Kosovës, ku si pasojë e tyre 5 persona kanë humbur jetën dhe 7 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë mbetën të lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:40 në rrugën Gjilan-Ferizaj. Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani. Në këtë aksident rrugor kanë qenë të përfshira dy vetura.

Ndërsa, në autostradën “Ibrahim Rugova” në fshatin Peqan të Suharekës, sot në orën 09:30 kanë humbur jetën dy persona të tjerë. Nga ky aksident mbetën edhe tre persona të lënduar. Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Aksidenti i tretë me fatalitet ka ndodhur po ashtu sot rreth orës 11:50 në magjistralën Lipjan-Shtime. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë apel për kujdes të shtuar në komunikacion./21Media