Pesë të vdekur nga të shtënat në një bankë

Sipas policisë, në atë moment kanë qenë vetëm pesë njerëz në bankë

Pesë persona kanë vdekur pas të shtënave me armë zjarri në një bankë në Florida, ka bërë të ditur policia.

21 vjeçari i dyshuar, Zephen Xaver, ka hyrë në “SunTrust Bank” në Sebrin, një qytet me rreth 10 mijë banorë, rreth 130 kilometra në jug të Orlandos, me ç’rast ka filluar të shtënat me armë zjarri, ka thënë shefi i Policisë në Sebring, Karl Hoglund në një konferencë për media. I dyshuari i ka detyruar njerëzit të shtrihen në dysheme dhe ka filluar të gjuajë.

Sipas policisë, oficerët i janë përgjigjur thirrjes së një personi, i cili dyshohet të ketë qenë i dyshuari dhe ka thënë “i gjuajta pesë njerëz”. Kur policia ka arritur në bankë, i dyshuari e ka mbyllur veten, por eventualisht ishte dorëzuar, bëhet e ditur nga Departamenti i Policisë së Sebring.

Incidenti ka ndodhur pas orës 12:30 (orë lokale) dhe siç ka bërë të ditur policia, në atë moment kanë qenë vetëm pesë persona në bankë.

Nuk janë dhënë ende detaje rreth viktimave dhe ende nuk dihet nëse ka të lënduar të tjerë. Motivi i ngjarjes ende është i paqartë./21Media

Back to top button