Peterle: Reforma zgjedhore një hap drejt BE-së

Peterle: Reforma zgjedhore një hap drejt BE-së

Dobësi të kahershme të procesit zgjedhor në Kosovë duhet të adresohen mjaftueshëm, derisa reforma zgjedhore mbetet hap tejet i rëndësishëm në rrugën e integrimit.

Kështu deklaroi sot në një konferencë për media shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle, me rastin e prezantimit të Raportit Final mbi zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit të kaluar. Teksa u tha se zgjedhjet e fundit ishin konkurruese në pjesën më të madhe të komunave në Kosovë, përveç atyre me shumicë serbe ku fushata u shëmtua nga frikësimet.

Nga ky raport i cili përmban një vlerësim të gjithë procesit zgjedhor, ofrohen 22 rekomandime për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore në Kosovë.

Ndërkaq, Peterle bëri të ditur se BE do të mbështes Kosovën në mënyrë që të çojë këtë reformën zgjedhore përpara.

“Reforma zgjedhore është vetëm një prej gurthemeleve në rrugën drejt BE-së, por në mënyrë të konsiderueshme do të përmirësojë kredibilitetin në BE. BE do të angazhohet në periudhat vijuese gjatë periudhave ndërmjet zgjedhjeve, dhe është e gatshme të japë ofrojë ndihmë zgjedhore dhe mbështetje financiare me fokus në implementimin e rekomandimeve të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe rekomandimet tjera që do t’i avanconin reformat zgjedhore dhe demokratike në Kosovë”, tha ai.

Peterle theksoi se nevojitet vullnet politik nga i gjithë spektri politik për të adresuar rekomandimet duke përfshirë ato prioritare të cilat përmbajnë përmirësime në listën e votuesve, mbikëqyrje më të mirë mbi shpenzimet e fushatës, kujdes të shtuar në sistemin e votimit jahstë shtetit, dhe rritje të pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor.

Ai tha se duhet të zbatohet deklarata e partive politike e cila garanton pjesëmarrjen e grave prej 40 përiqnd në procesin zgjedhor.

Sipas tij, zgjedhjet nuk përfshijnë vetëm ditën e zgjedhjeve, por tërë procesin zgjedhor brenda ciklit zgjedhor, prandaj siç tha ai, tash është koha më e mirë për të vepruar në mënyrë që çështjet të jenë të zgjidhura kur të afrohen zgjedhjet.

“Dobësi të kahershme të procesit zgjedhor në Kosovë duhet të adresohen mjaftueshëm. Për shembull çështjet lidhur me regjistrin e votuesve, trajnimin dhe profesionalizimin e këshilleve të vendvotimeve, mangësitë në sistemin e votimit jashtë Kosovës, stimulimin e kufizuar për ndjekje penale të aktiviteteve penale që lidhen me zgjedhjet, mungesën e mekanizmave efektiv për kërkesat për financimin e fushatës dhe rregullimin e programeve të sponzorizuara”, shtoi ai.

Ai tha se duhet të bëhet pastrimi i listave nga personat e vdekur, të krijohet një sistem  unik i adresave për qendrat e votimit që qytetarët të votojnë në qendrën më të afërt.

Ndërsa për votimin me postë tha se duhet rishikuar mënyra e votimit dhe verifikohet procesi pasi që sipas tij, në zgjedhjet e fundit janë vërejtur mashtrime të mëdha.

Krejt në fund, Peterle duke aluduar në ardhjen e presidentit slloven në Kosovë, Borut Pahor, tha se nuk ndjehet xheloz që vëmendje më e madhe po i kushtohet ardhjes së tij sesa çështjes që po diskutohej aty.

Ndryshe, Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian do të organizojë tryezë të rrumbullakët për të diskutuar rekomandimet dhe sugjerimet e deritashme në mënyrë që të zhvillohet një plan veprimi mbi përmirësimin e procesit zgjedhor.