Kritika të shumta rreth kësaj

Kritika të shumta rreth kësaj

Peticioni për bashkimin e Mitrovicës nuk është diskutuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, pasi që i njëjti nuk është dërguar në këtë komision dhe për këtë deputetët kanë pasur kritika të shumta.

Kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje ka thënë se peticioni i iniciuar nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri nuk është dërguar për shqyrtim në këtë komision dhe nuk kanë asnjë informatë për të.

“Sot ne nuk kemi në rend të ditës peticionin për Mitrovicën, se kjo ka qenë në mes Qeverisë dhe kryesisë, do të thotë Qeveria direkt në Kryesi. As peticion, as një informatë nuk kemi në Komisionin për të drejtat e njeriut, do të thotë ne nuk kemi marrë as informata, as nuk kemi marrë obligim me e hap temën këtu, kjo është çështje e Kryesisë dhe unë jam e sigurt se Kryesia dhe Qeveria do të vendosin për këtë. Ne sot nuk e kemi në rend të ditës, ne jemi komision për peticion, por ky peticion nuk ka ardhur te ne”, ka bërë të ditur ajo.

Deputeti i Vetëvendosjes, Shemsi Syla, teksa ka kritikuar që peticioni nuk është dërguar në komision, ka thënë se peticioni ka shkuar në grupin parlamentar të kësaj partie.

“Ne na ka ardhur në grupin parlamentar peticioni komplet nga një kopje dhe po besoj që tash po presim. Të gjitha grupeve na ka ardhur, ne na ka ardhur. Është i drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e di prej administratës”, ka thënë ai.

Pas kësaj kanë reaguar deputetët e partive të tjera, të cilët fillimisht kanë thënë se nuk e kanë marrë peticionin në grupet parlamentare të tyre, megjithatë pas një konfirmimi që kanë bërë kanë thënë se peticioni kishte shkuar në grupet parlamentare ditën e sotme.

Lidhur me këtë më e zëshme ka qenë deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila ka thënë se tendenca që të luhet me ndjenjat e qytetarëve të Mitrovicës është e keqe. Ajo ka kritikuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri se ka dërguar peticionin në Kryesi të Kuvendit dhe jo në komision.

“Komuna, Bahtiri këtu që e ka dërguar në Grupin Parlamentar të LVV-së nuk e ka ditur rrugën për ta dërguar në Komisionin përkatës që i shqyrton peticionet, e aq më tepër çka do që të jemi ne nuk mund të themi që na kthehet njëfarë vendimi dhe mund ta shqyrtojmë, jo-jo na shqyrtojmë peticione, le t’i dimë detyrat tona. Pra, nëse Kryesia ka kërkuar një mendim është një çështje tjetër, Kryesia, Qeveria janë krejt dy rrugë të tjera. Për neve, ne si grup punues pra i shqyrtojmë peticionet, peticioni nuk na ka ardhur neve”, ka thënë ajo.

Në këtë mbledhje të Komisionit është trajtuar edhe peticioni i qytetares, Drita Hajdari, e cila ka pretendime se i është bërë padrejtësi nga ana e Avokatit të Popullit, deputetët kanë bërë të ditur se kanë marrë një përgjigje nga AP dhe së shpejti do ta ftojnë në takim qytetaren për të diskutuar këtë çështje.

Po ashtu, është shqyrtuar edhe peticioni i Federatës Sindikale të Pavarur Elektro-Kosova.

Gjithashtu, në këtë mbledhje është kërkuar që në raportim të ftohet edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica, për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në sektorin privat.

Me kërkesë të deputetëve, përveç kësaj teme, është shtuar që në raportim të ministrit të flitet edhe për personat e pagjetur dhe skemat pensionale.

Po ashtu, është bërë e ditur se nga Ministria e Kulturës është kthyer përgjigje pozitive sa i përket që burgu i Prishtinës të kthehet në muze. Por, kanë pasur ankesa që disa institucione që u janë drejtuar me pyetje, por që sipas tyre nuk kanë marrë përgjigje.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, Agim Bahtiri ka dalë me idenë për bashkimin e Mitrovicës e lidhur me këtë ka iniciuar edhe një peticion. Këtë peticion më 21 shkurt ia ka dorëzuar kreut të vendit, Hashim Thaçi.

Peticioni është nënshkruar nga 16 mijë e 594 qytetarë.